Ditën e sotme Gjykata e Lartë vulosi dënimin me 32 vite burg për shtetasen Marjana Çmeta, e cila në vitin 2017, i mori jetën vjehrrës së saj.
Sipas “OraNews“, në një vendim të dhënë në 28 nëntor të 2020, e reja ishte dënuar me 32 vite heqje lirie.
Ndonëse ajo ankimoi së fundmi kohën e dënimit, treshja e Gjykatës, vendosi ta rrëzonte kërkesën e saj.
Kujtojmë se pas konflikteve të përjetuara me njëra-tjetrën, Marjana Çmeta helmoi me fotoksinë vjehrrën e saj, Lirie Lame.
Para togave të zeza, Marjana ka mohuar akuzat për vrasjen e Lames duke u shprehur se nuk mban mend asgjë.
Mirëpo krimi i rëndë u zbulua falë këmbënguljes së Oltit, ish-bashkëshortit të saj, i cili zbuloi videon që kishte regjistruar një hoxhë, tek i cili nusja shtatzënë rrëfeu me detaje se si e helmoi vjehrrën.
Pavarësisht se nuk jetonte më me të, Marjana ishte e bindur që kjo e fundit i kishte bërë magji, ndaj vendosi që t’i merrte jetën.
Tek Hoxha Hysen Shehu, ajo u rrëfye për 72 minuta duke i treguar sesi e kishte bërë vjehrrën të pinte “lëngun magjik”, duke i thënë se ishte një pije e që e konsumonin të gjithë për të shmangur sherret në familje. Por në fakt, lëngu ishte ishte fostoksinë.
Hoxha e regjistroi të renë dhe e denoncoi në Polici. Kjo video, i shërbeu edhe Prokurorisë për të ngritur akuzën mbi nusen.