“Pashë tym të zi dhe vajzën në zj*rr”, rr*qeth nëna e vogelushes shqiptare: Mjekët thanë bëni gati shtëpinë…

Takimi i radhës në “E Diela Ndryshe” është një rast shëndetësor. Përpara se të na prezantojë me të, Arbër Hajdari i bën një përmbledhje statistikore moderatorit të së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas, ku i thotë se 60% e rasteve të “Fundjavë Ndryshe” janë shëndetësore. Nga këto, 95% janë të patrajtueshme në Shqipëri.

Sëmundjet përfshijnë leucemi akute, kancer, tumore dhe deri më tani janë trajtuar 302 persona, 90% e tyre janë fëmijë. Kostot janë të paimagjinueshme sepse vetëm për leuceminë akute trajtimi mund të shkojë në 100 mijë euro.

Ky episod na dërgon në shtëpinë e Mirelës, një nëne me 4 fëmijë të moshave 16 vjeç, 13 vjeç, 2 dhe më e vogla, 40-ditëshe. Në shtëpi endet 2-vjeçarja, Esma, me një pamje që të këput shpirtin: lëkura që duhet të ishte e butë, e bardhë dhe e lëmuar siç e kanë fëmijët, ka shenja të mëdha, shformim që i zbret  deri në qafë e duar. Më 15 korrik të vitit 2024, Esma pësoi një aksident që e çoi në prag të vdekjes.

 

Mirela: Ne ishim në shtëpi, sa kishim ardhur nga puna dhe vendos çuni skarën, e ndez. Më thotë mua mami, më jep çikë antidjersën që ta hedh, të bëhet flakë, të bëhet më shpejt. Unë i thashë jo, nuk hidhet gjë aty se po e hodhe, bëhet një flakë e madhe, do të ndodhë diçka në shtëpinë tonë. Unë futem brenda, ulem këtu në divan, kisha një çikë debulesë, ma ndiente trupi që do të ndodhë diçka.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Mirela: Ky shkon te mami im, një shishe alkool gjysmëkilëshe, e fryn te zjarri ose e ka hedhur nuk e di, ajo shishja plasi.

Ardit Gjebrea: Ishte djali i madh?

Mirela: 13 vjeç.

Ardit Gjebrea: Djali 13 vjeç.

Mirela: Kur plasi shishja, ne dalim jashtë.

Ardit Gjebrea: Dëgjuat zhurmë ju?

Mirela: Po. Plasi shumë dhe gjej gocën te motra se e kam motrën të veshur me shami dhe po mundohej ta fikte te shamia e vet. I thashë ma jep mua Esmën që t’i shpëtoj jetën. Kishim një kovë me ujë jashtë.

Ardit Gjebrea: Ti kur dole, çfarë pe?

Mirela: Zjarr komplet. Tym i zi dhe gocën në zjarr, fëmijët bërtisnin. Nuk kam parë fëmijët e tjerë,  vetëm Esmën. Kam shuar zjarrin dhe e kam marrë për në spital.

Menjëherë, iu drejtuan Spitalit Ushtarak, teksa Mirela kujton se vajza vetëm qante dhe i hidhnin vazhdimisht ujë që mos të humbte ndjenjat. Në spital, mjekët u dorëzuan.

Mirela: Pas Spitalit Ushtarak, e dërguam te spitali i djegies. Aty e fashuan, i dhanë ndihmën e parë, pastaj kemi kaluar te pediatria e re që është bërë tani. Aty nuk  na dhanë shpresa.

Ardit Gjebrea: Çfarë ju thanë?

Mirela: Ka djegur organet e brendshme.

Ardit Gjebrea: Dhe nuk ju dhanë shpresë.

Mirela: Jo.

Ardit Gjebrea: Nuk ju dhanë shpresë  jete?

Mirela: Jo. Pastaj burrit të motrës i kishin thënë që ik bëj gati shtëpinë se nga minuti në minutë mund të mbarojë. Për ne prindërit ishte e vështirë sepse të të thonë për një fëmijë që nuk ka shpresë… ishin momentet më të vështira të jetës sime./tvklan.al