E përbashkëta tr*gjike mes Berishës së 1996-ës dhe Ramës së 2025-ës

Dy epoka, dy liderë, një e njëjta logjikë pushteti: kontroll mbi votën, mbi sistemin dhe mbi frikën. Në vitin 1996, Sali Berisha falsifikoi historinë për të qëndruar në pushtet. Në vitin 2025, Edi Rama mori pushtetin me vota kundër Berishës, por për të ndërtuar një sistem që i ngjan atij që dikur e përçmonte…

Sali Berisha mori pushtetin me 900 mijë vota në 1996. Edi Rama mori mandatin e katërt me 900 mijë vota kundër Berishës. Historia kthehet, por loja mbetet po ajo…

Zgjedhjet e 11 majit 2025 sollën një fitore të madhe për Partinë Socialiste dhe një shifër historike për Edi Ramën: afro 900 mijë vota. Por më shumë se sa triumf për qeverinë, ky ishte një votim i ftohtë hakmarrjeje ndaj një figure: Sali Berishës.
Sepse 29 vite më parë, më 26 maj 1996, Sali Berisha kishte marrë saktësisht po aq; 914 mijë vota në zgjedhjet më të kundërshtuara në historinë e Shqipërisë pas komunizmit.

Ishte një zgjedhje që nisi me dhunë dhe u mbyll me turp. Kutitë u mbushën me fletë të rezervës nga SHIK-u, komisionerët e opozitës u burgosën ose u nxorën me forcë, vëzhguesit ndërkombëtarë u kërcënuan me armë dhe rezultati final ishte 90% fitore për PD-në e Sali Berishës.

Ajo ditë e errët, 26 maji 1996, ishte dita kur Berisha e goditi demokracinë me një grusht fatal, për të mos e lënë kurrë më të rimëkëmbet.
Dhe sot, historia duket se i është kthyer si një pasqyrë politike, me të njëjtën shifër, por me dy anë të ndryshme të medaljes:
– atëherë ai ishte falsifikuesi;
– sot ai është objekti i refuzimit masiv.

Zgjedhjet e 11 majit ishin të ndryshme në formë, por shumë të ngjashme në logjikë.
Në vend të SHIK-ut të Gazidedes, kemi patronazhistët e stilit të ri.
Në vend të bandave që hynin në komisione, kemi oligarkë dhe trafikantë që kontrollojnë votat në heshtje.
Në vend të burrave me kallashnikov, kemi gra të qeta nëpër komisione, por me një strukturë partie që komandon rezultatin në çdo njësi.

Në vitin 1996, raportet ndërkombëtare e cilësuan 26 majin si “ditë terrori elektoral”. Berisha bëri gjithçka për të marrë kontrollin total të pushtetit. Shifra 900 mijë ishte obsesioni i tij.
Sot, ajo shifër është dënimi i tij.

Sepse PS nuk mori thjesht vota pro Ramës. Ajo mori 900 mijë vota kundër Berishës.
Fakt që vetë Edi Rama e kupton, por nuk e thotë. Sepse këto nuk janë vota të dashura për të, janë vota të neveritura nga rikthimi i Saliut.

Por kushdo që sheh këtë rezultat si “fitore morale” të PS-së, gabon rëndë.
Sepse ka një përbashkësi tragjike mes Berishës së 1996-s dhe Ramës së 2025-ës: të dy kanë përdorur pushtetin për ta blinduar veten; të dy kanë ndërtuar rrjete patronazhi e klientelizmi për ta kontrolluar rezultatin; të dy kanë pasur plan për të qeverisur pa opozitë reale.

Në vitin 1996, Berisha e çoi vendin në fund të humnerës politike.
Në vitin 2025, Rama po mban nën kontroll gjithçka, me vota që duken si legjitime, por që burojnë nga një makineri elektorale me shumë më tepër dhëmbë se ajo e Gazidedes.

Historia është e çuditshme. Ajo i jep çdo njeriu rastin ta shohë veten në pasqyrë.
Berisha dikur vodhi zgjedhjet për të ndaluar rotacionin.
Sot, votat që mori Rama janë një hakmarrje ndaj tij, por të përdorura për të vazhduar po të njëjtin sistem dominimi, me një emër tjetër./Pamfleti