Edi Rama bën gati ‘fshesën’: Cilët ministra rr*zikojnë postin në Shtator? Ja emrat e rinj te forte

Zgjedhjet e 11 Majit i dhanë Edi Ramës një pushtet që nuk e kishte patur kurrë më parë. 83 mandate, por që mund të bëhen 86 bashkë me ato të Partisë SocialDemokrate, që do të thotë se mazhoranca e re mund të bëjë edhe ndryshime në ligje të rëndësishme që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë me “gjak të ri”, për shkak se Rama vendosi që në listat e kandidatëve të PS-së të garonin shumë të rinj, duke larguar përfundimisht nga politika një pjesë të mirë të “gardës së vjetër”.

Ndërkohë, teksa përgatitet që në Parlamentin e ardhshëm të ketë një shumicë të plotfuqishme, Rama po mendon edhe për kabinetin e ri qeveritar.

Disa prej ministrave shihen si shumë të afërt me Ramën dhe vështirë se mund të lëvizin nga posti, ndërsa disa të tjerë kanë zhgënjyer me punën e tyre, duke qenë më afër larguimit nga posti i ministrit në shtator, kur Rama do të formojë kabinetin e ri.

Por kush mbetet dhe kush rrezikon ta kapë “operacioni fshesa”?

Shumë mundësi për t’u konfirmuar në detyrë:

Zv.kryeministrja Belinda Balluku duket më e sigurta në kabinet, pasi është një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit, teksa jo vetëm që arriti një rezultat historik në Fier me 12 mandate, por në grupin parlamentar do të ketë edhe shumë ish-vartës të saj. E vetmja mundësi që Balluku të mos jetë në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës është ndërhyrja e SPAK, por që vështirë të ketë diçka të tillë deri në Shtator.

Igli Hasani, ministri i Jashtëm, duket se do të jetë një tjetër ministër që do të konfirmohet në detyrë. Hasani ka bërë një punë të mirë në politikën e Jashtme, teksa do të vijojë punën për anëtarësimin në BE pas hapjes së disa grup-kapitujve.

Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes, u prit me shumë skepticizëm kur mori detyrën, por deri më tani puna e tij ka qenë në nivele të mira, pa asnjë skandal si paraardhësit dhe me disa marrëveshje të rëndësishme të nënshkruara me shtetet aleate të NATO-s. Konfirmimi i tij mbetet në pikëpyetje, po gjasat janë që të ndodhë.

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit, është një tjetër person shumë i afërt me kryeministrin, ndaj edhe konfirmimi i saj në detyrë pritet të jetë vetëm formalitet, por nuk është çudi që të marrë drejtimin e ndonjë ministrie tjetër, pasi dështoi me sukses në krye të Shëndetësisë dhe Arsimit. E sigurt që do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.

Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, nuk mbahet mend për ndonjë punë të mirë në këtë institucion, por vetëm për skandalet ku ka qenë i përfshirë, si “dosja 184”, për krimet zgjedhore në Dibër. Pavarësisht kësaj, ai pritet të jetë sërish në detyrë, pasi Rama e sheh si njeri të besuar.

Mirela Kumbaro, “kumbarja” e “pikës së voçkël” në Plazhin e Manastirit, pritet të jetë sërish pjesë e kabinetit qeveritar si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Pavarësisht se puna e saj ka lënë shumë për të dëshiruar, Rama e sheh si një zë të fortë për t’i thurur lavde, ndaj i duhet ta ketë pjesë të qeverisë.

Mesatarisht mundësi për t’u konfirmuar në detyrë:

Petrit Malaj, ministër i Financave, mund të ketë një shans për të qëndruar në këtë post, pavarësisht se puna e tij në atë institucion nuk ka patur ndonjë vlerësim të madh.

Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, mund të jetë sërish në krye të kësaj ministrie, pasi Rama e sheh si një nga njerëzit që e njeh më së miri punën në terren, siç u tregua edhe në zgjedhjet e 11 Majit, ku në drejtimin e tij, PS mori 10 mandate në Elbasan.

Taulant Balla, ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, mund të jetë sërish pjesë e kabinetit qeveritar, pavarësisht se kjo ministri i rri “ngushtë” profilit të tij. Rama e emëroi në këtë institucion pasi e largoi nga Ministria e Brendshme, të cilën e drejtoi për më pak se 1 vit. Ndoshta, mund ta rikthejë sërish aty.

Shumë mundësi për t’u larguar

Anila Denaj, ministre e Bujqësisë, ka shumë gjasë të mos jetë sërish pjesë e kabinetit qeveritar, pasi puna e saj në këtë ministri ka qenë poshtë pritshmërive. Skandali me fondet e IPARD rëndon shumë mbi të, ndaj pritet të sakrifikohet nga Rama.

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm, duket i destinuar për t’u larguar. Puna e tij jo vetëm nuk ka qenë në lartësinë e duhur, por në vendin tonë sot drejton “krimi i organizuar”, teksa edhe SPAK në raporte thotë se Policia e Shtetit bashkëpunon me organizatat kriminale. Zgjedhja e tij ka qenë një dështim për kryeministrin Rama, që në Shtator duket se do ta largojë.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë, ka ndjekur hapat e paraardhëses së saj, Ogerta Manastirliut, duke e përfshirë atë institucion vetëm në skandale. “Onkologjiku” është ende një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare, teksa interpelanca me Agron Shehajn në Parlament tregoi se ajo nuk është në lartësinë e duhur për të drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme në vend.

Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duket se është i destinuar të vendoset në krye të Bashkisë së Tiranës. Këto janë zërat që “ziejnë” brenda PS-së, teksa rezultati në zgjedhjet e 11 Majit e ka përforcuar edhe më shumë idenë e Ramës se ai është i duhuri për të zëvendësuar Erion Veliajn.

Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duket se në Shtator do të jetë larg kësaj ministre. Emërimi i saj si ministre ishte i papritur, teksa puna e saj për të luftuar korrupsionin në administratë duket se ka dështuar, pasi çdo ditë dalin vetëm skandale për vjedhje dhe korrupsion në zyrat e shtetit.

Bora Muzhaqi, ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, duket se e ka përmbushur detyrën dhe nuk do të jetë më drejtuese e këtij institucioni, të cilin pritet që Rama t’ia besojë Ina Majkos, kandidates së PS-së në Vlorë, e cila nuk arriti të marrë mandatin e deputetes.

Nëse ka një politikan brenda PS-së që ka pritur me vite që t’i besohet një ministri e rëndësishme, ajo është Elisa Spiropali. Vendosja e saj në krye të Kuvendit nga kryeministri Edi Rama ishte një lëvizje jo e mirëpritur nga ajo, teksa shpeshherë është përballur edhe me kritika nga grupi parlamentar i PS-së për mënyrën e drejtimit të seancave plenare.

Në kabinetin e ri qeveritar, Rama mund të vendosë t’i besojë një ministri të rëndësishme, siç mund të jetë Ministria e Bujqësisë apo ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Një shpërblim i merituar për vitet që Spiropali ka qëndruar besnike e tij, madje duke e krahasuar edhe me Skënderbeun.