Në një moment që ka ngjallur kureshtje dhe debat në rrjetet sociale, Brigitte Macron është filmuar teksa i jep një shuplakë të lehtë presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë një daljeje publike në Hanoi, Vietnam.
Videoja u bë virale brenda pak orësh, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te marrëdhënia jo e zakonshme e çiftit presidencial francez.
Pamja u interpretua në forma të ndryshme — për disa ishte një gjest spontan mes partnerësh, për të tjerë një shenjë tensioni.
Vetë presidenti e kaloi me humor, duke u shprehur se “mediat po e kthejnë një moment të vogël në një katastrofë gjeo-planetare”, por ekspertët e gjuhës së trupit e lexuan ndryshe.
Sipas tyre, mungesa e buzëqeshjes, mënyra si Macron preku fytyrën pas gjestit, si dhe fakti që nuk pati asnjë kontakt fizik mes tyre më pas, flasin për një episod që s’kishte aspak natyrë shakaje.
Ky moment ka shërbyer edhe si rikujtim për historinë e tyre të pazakontë dashurie — një histori që u përfol fort dhe u paragjykua për vite me radhë.
Brigitte ishte mësuesja e Emmanuelit në një shkollë katolike në Amiens, kur ai ishte vetëm 15 vjeç. Lidhja e tyre, që në atë kohë u pa si e papranueshme, i tronditi prindërit e Macron, të cilët e larguan djalin nga qyteti për ta mbrojtur nga ajo që ata e konsideronin një marrëdhënie të rrezikshme. Por ndjenjat e tij nuk ndryshuan.
Ata qëndruan në kontakt për vite me radhë, ndërsa Brigitte vazhdonte jetën si nënë dhe bashkëshorte. Vetëm në vitin 2006, pas divorcit të saj, çifti vendosi ta zyrtarizonte lidhjen dhe u martuan në vitin 2007.
Brigitte ka rrëfyer më pas se zgjedhja për të ndjekur zemrën e saj ishte e vështirë, veçanërisht për shkak të fëmijëve të saj. “E dija që po i lëndoja, dhe kjo është gjëja më e rëndë që kam bërë ndonjëherë,” ka thënë ajo.
Sot, ata janë bashkë në jetë dhe në pushtet. Një marrëdhënie që shpesh ka sfiduar stereotipet, por që vijon të zgjojë interes, sidomos në momente të papritura si ky i fundit. Dhe në fund të ditës, ata mbeten një çift si gjithë të tjerët — me dashuritë, krizat dhe momente që, pavarësisht protokolleve, nuk i shpëtojnë syrit të publikut