E trishte! I dedikoi jetën studentëve, ndahet nga jeta Profesori i njohur i Tiranes

Pedagogu pioner i Shkencave të Natyrës, Bashkim Ruseti është ndarë nga jeta në moshën 82 vjeçare. Një figurë e shquar e arsimit shqiptar dhe kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin e matematikës dhe informatikës në vendin tonë, profesor Ruseti ka mbyllur sytë përgjithmonë dje, në 27 Maj.

I diplomuar në Matematikë në vitin 1965, Prof. Ruseti ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm për më shumë se tre dekada në mësimdhënie dhe në zhvillimin e programeve të studimit.

Ai ka qenë një ndër pionierët e informatizimit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe ka ushtruar detyrën e pedagogut, që nga viti 1967, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës.

Në karrierën e tij akademike, Prof. Ruseti mbrojti gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 1982 dhe fitoi titullin “Profesor” në vitin 1994. Gjatë gjithë punës së tij, ai u dallua për profesionalizëm, përkushtim dhe qetësi në komunikim, duke ndikuar ndjeshëm në formimin e shumë brezave studentësh.

Rektori Artan Hoxha dhe Universiteti i Tiranës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe kolegëve për humbjen,

Biografia e Profesor Bashkim Rusetit – Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Prof.Dr. Bashkim Ruseti ishte një ndër pedagogët, informaticianët dhe matematicienët më të shquar ne hapësirën mbarë shqiptare. Në vitin 1965 diplomohet në degën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës. Edhe pse studimet themelore i mbaroi në Matematikë, ai një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij profesionale dhe shkencore ia përkushtoi informatikës.

Në vitin 1972 – 1974 mbaron disa kurse me specialistë të huaj dhe të vendit mbi Informatikën, Kompjuterat dhe Kërkimet Operacionale duke dëenë me sukses dhe provimet përkatëse. Në vitin 1980 dhe 1986 mbaron në Paris‑Francë një Kurs Ndërkombëtar 6‑mujor për Informatikën, duke u pajisur me diplomën përkatëse “Analist” dhe më pas kryen një kualifikim shumë cilësor pranë BULL në Paris-Francë.

Në vitin 1982 mbron gradën “Kandidat i shkencave” (Doktor i shkencave) dhe në vitin 1984 fiton titullin “Docent”. Ndërsa në vitin 1994 fiton titullin akademik “Profesor”.

Gjatë viteve 1967‑2002 ka qenë lektor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën e Matematikës 5-vjeçare dhe në degën e Informatikës, ku profesor Bashkim Ruseti ishte një nga pedagogët e parë që dha një kontribut të çmuar në ecurinë e mëtejshme të kësaj dege.

Po ashtu, profesor Ruseti është i njohur nga të gjithë si pedagogu i Matematikës dhe më pas i Informatikës në të gjitha degët e Fakultetit të Ekonomisë. Nuk ka student që ka mbaruar këtë fakultet dhe të mos kujtoj emrin e tij.

Profesor Bashkim Ruseti ka dhënë mësim dhe në Fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës si në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale etj., si dhe në Fakultetin e Mjekësisë.

Kontributi i tij akademik përfshin dhe mjaft kurse pasuniversitare pranë Fakultetit të Ekonomisë të UT dhe Fakulteteve të tjera.

Gjatë viteve 1990-2003 profesor Ruseti mbaron disa specializime dhe kualifikime në vende të ndryshme të Europës (Francë, Greqi, Itali, Angli, Belgjikë, Gjermani etj.) dhe në ShBA lidhur me drejtime të Informatikës së Aplikuar.

Në vitin akademik 2003-2004 hapet për herë të parë në Shqipëri dega aq e suksesshme e Informatikës Ekonomike pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prof. Ruseti ishte një nga ideatorët kryesorë dhe themelues i kësaj dege. Profesor Bashkim Ruseti ka një kontribut të veçantë në proçesin e mësimdhënies në Fakultetin e Ekonomisë dhe sidomos në rritjen e degës së Informatikës Ekonomike. Formimi i studentëve të degës së Informatikës Ekonomike ka rezultuar si një nga formimet më të suksesshme për tregun e punës brenda dhe jashtë vendit.

Prof. Bashkim Ruseti është autor i 26 teksteve mësimore dhe 1 monografi të botuara, kryesisht për lëndët e Matematikës, Matematikës së Aplikuar, Informatikës së Përgjithshme, etj. Është  autor i rreth 20 artikujve shkencor të botuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Profesor Ruseti ka marrë pjesë në shumë simpoziume, konferenca e seminare shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare ku ka mbajtur kumtesa e referate mjaft të vlersuara.

Ka kryer mbi 25 studime që lidhen me shfrytëzimin e matematikës së zbatuar, të informatikës, kompjuterave, ICT etj. Kryesisht për të optimizuar probleme e procese të praktikës në shkallë vendi, ndërmarje e institucioni. Ka marrë pjesë mbi 20 studime që lidhen me arsimin në përgjithësi dhe atë të lartë në veçanti.

Prof. Bashkim Ruseti ka drejtuar për shumë vjet Departamentin e Matematikës, Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar, aktualisht Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Do na mungosh të gjithëve i dashur profesor Bashkimi, departamentit që e deshe dhe të donte aq shumë, ish-studentëve që sot i ke kudo të suksesshëm, kolegëve të shumtë me të cilët bashkëpunove dhe padyshim familjes tënde të mrekullueshme! Mirënjohje dhe respekt për kontributin tuaj!!!