“Selami i fundit” për Ilir Metën; nga sherri në Lalëz te tmerri i Durrësit…
Pak kohë para arrestimit të tij spektakolar, në mediat shqiptare u shpërnda si “lajm gossip” një sherr verbal në një lokal të njohur në Gjirin e Lalzit, ndërmjet njerëzve të Lefter Kokës dhe Ilir Metës. Asokohe u trajtua si incident banal veror. Por pas 7 muajsh burg dhe shumë zhvillimesh që e rrethojnë sot dosjen e Metës, gjithnjë e më e qartë bëhet se ai sherr ishte më shumë se sa një grndje mes të dehurish. Ishte paralajmërimi i parë. Ishte selami i fundit.
Tani dihet, Ilir Meta nuk është arrestuar vetëm për çështjen “CEZ-DIA” dhe skemat e pasurimit të paligjshëm. Ai është rrëzuar politikisht dhe izoluar fizikisht, si pjesë e një lufte më të thellë mes ish-miqsh, mes krerësh të sistemit, mes njerëzish që kanë ndarë gjithçka dhe tani kërkojnë të ndajnë heshtjen e tyre me distancë.
Në ditët pas arrestimit, Meta nuk foli. Për herë të parë në karrierën e tij, e la veten në heshtje. Dhe kjo ndodhi jo vetëm për shkak të dosjes. Por sepse kishte marrë sinjalin. Kishte ardhur ai “selam”, që në gjuhën e errët të politikës dhe krimit, është gjithmonë mesazh i pakthyeshëm.
Frika nga Durrësi, më e fortë se burgu
Në skenarin fillestar, Meta do të transferohej në paraburgimin e Durrësit, të njohur si “shtëpia e VIP-ave”. Por ai bëri çmos të mos shkelte aty. Përdori çdo kanal, angazhoi avokatë dhe “njerëz të rëndësishëm”, për të mos u përplasur me atë që ai e dinte, që në Durrës nuk do ishte burg, por ferr.
Thuhet se në një moment nervozizmi, Meta ka deklaruar para një figure të rëndësishme të sigurisë: “Vritmëni më mirë, atje nuk shkoj.”
Sepse Meta e njeh mirë Durrësin. E ka sunduar dikur. Por e ka tradhtuar njëlloj siç i tradhtoi të gjithë. Dhe tashmë, ai qytet, që dikur i dha krah, është kthyer në një zonë të kuqe për të.
Ka emra të rinj, ka grupe të reja, ka djem që nuk e njohin më si “President”, por si “armik të heshtur të së shkuarës”.
Nga Presidenti tek “vëllai që tradhtoi”
Disa burime thonë se përplasja me Lefter Kokën nuk ka qenë thjesht politike apo gjyqësore. Ka qenë personale, e thellë dhe e padurueshme. Dosja ndaj Kokës është firmosur në heshtje nga Meta dhe Monika. U duk si hakmarrje. Por u interpretua si tradhti.
Nga ai moment, Meta nisi të izolohej. Edhe brenda partisë, edhe jashtë saj. Divorci me Monikën, i servirur si çështje personale, ishte pjesë e kalkulimit për të shpëtuar imazhin dhe për të ndarë përgjegjësitë. Por nuk mjaftoi. Sepse sinjalet kishin ardhur. Dhe më e forta, ishte ajo që e detyroi të zgjedhë burgun e Tiranës 313, një institucion i ashpër, por më i sigurt.
Sepse në Durrës nuk kishte kthim.
Lobi që e bëri “djalin e vet” dhe më pas e braktisi
Ilir Meta dikur “vriste e priste” në Durrës. Ishte figura e preferuar e një lobi të fuqishëm, që e çoi deri në postin e kryeministrit. Por siç ndodh me çdo marrëdhënie të ndërtuar mbi interes, ai lob e braktisi.
Thuhet se gjatë kohës si President, Meta bëri një vizitë “jo të autorizuar” në një nga bizneset e reja në qytetin-port, të lidhur me emra të rëndë të botës së errët. Që nga ajo ditë, emri i tij ka qenë në listën e zezë.
E askush nuk e fshin atë listë, as me pushtet, as me premtime.
Ilir Meta sot është i vetmuar. Nuk ka më Durrësin, nuk ka më Monikën, nuk ka më imunitetin. Ka vetëm Tiranën dhe një qeli që e zgjodhi vetë, për të mos vdekur në qytetin që dikur e ngriti./Pamfleti