Lëvdata si poemë. Fjalime me superlativa. Premtime për mbështetje. Shpata që dikur i dridhej mbi kokë SPAK-ut, sot është bërë pupël diplomatike. Po pse ndryshoi Babloku 360 gradë ndaj drejtësisë speciale që dikur e konsideroi ‘republikë’ prokurorësh të shfrenuar?
Edi Rama ka kaluar nga sulmi i egër në përulje ceremoniale ndaj Altin Dumanit dhe SPAK-ut. Nga etiketimi “i vështirë për t’u duruar”, në “prokurori simbol i integritetit e profesionalizmit”, ka vetëm një arsye: nuk e theu dot.
Pas një viti sulmesh publike, intimidimi institucional, presionesh parlamentare dhe batutave të tipit “telefonin tim nuk ma merr dot askush”, Babloku është detyruar të shfaqet si aleat i drejtësisë që nuk e kontrollon dot. Por kjo nuk është kthesë filozofike. Është kthesë për hallin personal dhe për ultimatumet ndërkombëtare.
Pse Babloku po lavdëron SPAK-un? Sepse është me shpatulla pas muri.
Arsyeja e parë është vetë paniku. Në dosjet e SPAK-ut janë të përfshirë emra që dikur ishin rreshti i parë i Ramës, ministër pas ministri, drejtor pas drejtori, nga Lefteri te Beqja, nga Veliaj te Agaçi, nga Mërtiri te Zoto. Pjesa tjetër është ajo familjare. Dosjet ku përmendet Olsi Rama, lidhur me laboratorët e drogës, janë kthyer në minë me sahat. Dhe Babloku po kërkon të zbusë klimën me pak doza përpëlitjeje dhe shumë elozhe për Dumanin.
Arsyeja e dytë është një shuplakë nga SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes komunikimeve jo publike dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë, i ka bërë të qartë Ramës se: SPAK nuk preket. As me komisione, as me kod penal, as me ironi. Ndaj, ai është dorëzuar. Ka hequr dorë nga ambicia për ta përdorur “komisionin Xhafaj” si mjet mbikëqyrjeje mbi dosjet. Dhe “kërcënimin” për telefonin personal, e quajti batutë. Batutë që nuk e hëngri askush.
Rama tani thotë me krenari: SPAK është produkt i PS-së. Por harron të thotë se kur SPAK i hyri dosjes së inceneratorëve, ai e quajti “structure” që po përdor drejtësinë për shantazh dhe spektakël politik”.
Rama dikur sulmonte publikisht dhe në prapaskenë. Krijoi një komision në Kuvend, ku qëllimi i vetëm ishte frenimi i SPAK. Premtonte “kontroll politik mbi hetimet e pavarura”. Tani kërkon të duket si mbrojtësi më i zjarrtë i Prokurorisë Speciale. Pse? Sepse SPAK i ka trokitur në derë. Dhe rrezikon të hyjë brenda.
Dorën që nuk e kafshon dot, puthe!/Pamfleti