Moderatorja Kiara Tito ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, ku foli për jetën personale, marrëdhënien me partnerin e saj Luiz Ejllin, si dhe për angazhimet profesionale që po e mbajnë të zënë.
Gjatë intervistës me Salsano Rapin dhe Elona Duron, Kiara u pyet nëse është natyrë xheloze — një pyetje që ajo e priti me qetësi dhe sinqeritet.
“Nuk jam natyrë xheloze unë,” – u shpreh ajo.
“E kam thënë edhe më parë që nuk më pëlqen t’i fus vetes atë stresin, sepse në një marrëdhënie, nëse ka xhelozi dhe fiksim të vazhdueshëm, nuk është e shëndetshme. Në fund të fundit, ose e lodh tjetrin, ose nuk e njeh më veten.”
E pyetur nëse është ajo më pak xheloze se Luizi apo nëse janë njësoj, Kiara tha:
“Jo, kemi arritur në një pikë që e njohim aq mirë njëri-tjetrin, sa nuk merremi më me këtë pjesë. Fokusin e kemi te vajza jonë, projektet dhe gjërat e rëndësishme të jetës.”
Kjo përgjigje vjen në një kohë kur vëmendja publike ndaj çiftit vazhdon të jetë e lartë, por vetë Kiara dhe Luizi duken të vendosur të ruajnë një qasje të qëndrueshme, larg spekulimeve dhe tensioneve të panevojshme.