çfarë po planifikon ambasada e SHBA te ndodhe ne Shqiperi?

Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Ambasada e SHBA në Tiranë ka rifilluar të flasë, por këtë herë, në mënyrë të koduar, përmes mesazheve që kërkojnë më shumë lexim se sa dëgjim.

Në vetëm 48 orë janë publikuar tre deklarata të rëndësishme, secila me peshë simbolike dhe përmbajtësore, që nëse lexohen në vazhdimësi krijojnë një narrativë të re të politikës amerikane ndaj Shqipërisë: një distancim i heshtur nga pushteti dhe një rikthim i theksuar te vlerat themelore që SHBA ka promovuar prej dekadash – liria, demokracia funksionale dhe sundimi i ligjit.

E para ishte një “urim” që nuk ishte urim: Ambasada nuk përmendi Edi Ramën pas zgjedhjeve të 11 majit, por uroi qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen. Një formë e rafinuar refuzimi që nuk kaloi pa u vënë re në Tiranë. Në vend të komplimentit për qeverinë, për herë të parë në një proces zgjedhor, SHBA zgjodhi të vlerësojë vetëm popullin – një sinjal i ftohtë për ata që janë mësuar me mesazhe mbështetëse pavarësisht realitetit në terren.

Ndërsa sot, ambasada ka shpërndarë një deklaratë të Zëvendës Sekretarit të Shtetit, Christopher Landau: “Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre. Ne i refuzojmë të dy ekstremet e papranueshme të dëshirës për një transformim të jashtëzakonshëm, nga njëra anë, ose të rishikimit të ankesave të lashta, nga ana tjetër. Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues. Ky nuk është qëllimi ynë, funksioni ynë, apo misioni ynë“.

Por si duhet lexuar kjo deklaratë. Fakti që ambasada e shpërndan në rrjetet sociale, do të thotë se ai vlen dhe për Shqipërinë.

Landau përshkruan një filozofi të re të SHBA-së ndaj botës: larg retorikës boshe për “transformime të jashtëzakonshme” dhe “rilindje të mëdha” – drejt një partneriteti që bazohet te realizmi praktik dhe përulësia historike. Ai kritikon qartë liderët dhe qeveritë që besojnë në “iluzione politike”, që ndërtojnë fasada reformash, që përdorin gjuhën e progresit për të maskuar mungesën e rezultateve reale. Në këtë kontekst, Landau nuk flet vetëm për dështimet në ndërtimin e kombeve në Lindjen e Mesme apo Ballkan – ai po përcakton qartë vijat e kuqe për ata që kërkojnë aleancë me SHBA-në, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kur ai thotë “ne nuk do të punojmë me ata që nuk janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre”, kjo është një përgjigje direkte ndaj elitës politike shqiptare që vazhdon të përdorë narrativën e suksesit ndërkombëtar për të justifikuar një realitet të brendshëm të përkeqësuar. Po ashtu, fraza “politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa përulësi historike, bëhet armik i shtetndërtimit kushtetues”, është një dënim i qartë ndaj modelit të polarizimit të përhershëm, ku politika është kthyer në luftë dhe shteti në ‘dëm kolateral’.

Në mënyrë të nënkuptuar, Landau e portretizon modelin shqiptar si pjesë e një kulture politike që SHBA nuk do ta mbështesë më. Një sistem ku ndërtohen ngrehina juridike, por kapen institucionet; ku flitet për luftë kundër korrupsionit, por prodhohen tendera sekretë; ku emrat ndryshojnë, por praktikat mbeten të njëjta. Ai kërkon modesti në pretendimet dhe përgjegjësi në qeverisje – të dyja të panjohura për politikën shqiptare aktuale.

Deklarata e tij është gjithashtu një formë distancimi nga praktikat e mëparshme të vetë SHBA-së, ku ndërhyrja shpesh ka qenë e pakushtëzuar, duke mbështetur aktorë lokalë me premtimin se do ecnin në linjë me interesat perëndimore. Tani, kjo periudhë ka marrë fund. SHBA nuk është më garant i qeverive që flasin mirë, por nuk veprojnë ndershëm. Ata nuk do të përkrahin më “burokratë të largët dhe aktivistë të ngurtë” që vetëm flasin, por nuk prodhojnë asgjë për qytetarin.

Po ashtu, këtë pasdite erdhi mesazhi i tretë. Ambasada e SHBA shpërndau deklaratën e Sekretarit Rubio, i cili njoftoi një politikë të re vizash. Rubio bëri të ditur se do të ketë ndalime vizash për këdo që shënjestron qytetarë amerikanë, pra, kushdo që intimidon, ushtron presion apo “godet” amerikanët, do të shpallet “non grata”. Fakti që ky mesazh u shpërnda nga vetë Ambasada, ka peshë të veçantë. Sinjalet janë të qarta: edhe në Shqipëri mund të ketë emra që do ta pësojnë. /Pamfleti