Kandidati demokrat në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, ka ankimuar zyrtarisht rezultatin në qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërim të votave. Në një shkresë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alimehmeti pretendon se diferenca mes tij dhe kandidates që kryeson listën e hapur, Jorida Tabaku, është tepër e vogël dhe se procesi ka patur parregullsi të dukshme.
Në dokumentin e dorëzuar, ai ngre alarmin për një përqindje rreth 5% të votave që sipas tij janë të kontestuara. Më konkretisht, ai sjell si shembull një qendër votimi ku 27 vota preferenciale që i përkisnin atij janë regjistruar në mënyrë të gabuar në favor të një kandidati tjetër, ndërsa ai vetë rezulton me zero vota në tabelën përmbledhëse.
Ky veprim i Alimehmetit pritet të thellojë më tej tensionet brenda Partisë Demokratike, ku konkurrenca mes kandidatëve në listat e hapura ka risjellë në sipërfaqe ndasitë e brendshme dhe garën e ashpër për dominim politik në kryeqytet
Tre kandidatët e PD ASHM, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisander Hoxha kanë kërkuar rinumërim të votave dhe rivlerësim të rezultatit të zgjedhjeve për procesin e 11 majit.
Në ankimimin e depozituar nga Alihemehmeti theksohet se “gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme”.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur. Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.
Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet në ankimimin e tij.
Alimehmeti sqaron në dokument se, duke u bazuar në këqyrjet, rezulton sipas tij një parregullsi në masën rreth 5% të votave të numëruara.