Shkrimtari dhe gazetari i njohur Ben Blushi, publikoi në faqen e tij në Facebook, një shënim të shkurtër nga Izraeli. Ekzaktësisht nga kufiri mes Izraelit dhe tokave të pushtuara palestineze, pikërisht aty ku është vendosur Autoriteti Palestinez si dhe qeveria që kontrollohet nga organizata Hamas.
Blushi, sillte shënimin mbi foton e një prej pengjeve të Hamas, që prej masakrës së 7 tetorit 2023 ende mbahet në tunelet e organizatës terroriste.
Postimi i Blushit
Bring them home
“Izraeli është i mbushur në çdo rrugë, në çdo lagje dhe në çdo xham me fotografi të pengjeve që Hamasi rrëmbeu në 7 tetor të 2023.
Njerëzit i kërkojnë qeverisë kthimin e tyre në shtëpi.
Nga 247 të rrëmbyer burra, gra, fëmijë dhe pleq, 58 nuk janë kthyer ende dhe kjo është arsyeja që lufta e dhimbshme e Gazës nuk mbyllet.
Terroristët e Hamasit e mbajnë konfliktin hapur duke fshehur pengjet civile në tunelet e errëta dhe të pafundme të Gazës.
Njëri nga ata që ende nuk është kthyer quhet Matan Zangauker 25 vjeç, i cili u rrëmbye bashkë me të dashurën nga një kibutz që u sulmua nga terroristët gati 600 ditë më parë.
Unë e pashë fotografinë e tij në banakun e një kioske në afërsi të kufirit mes Izraelit dhe Gazës, ku ndalova për të blerë një hamburger dhe një shishe ujë.
Duke ndjekur vijën e gjatë të atij kufiri të përgjakur, nga ku çdo çast vijnë zhurmat e bombardimeve sporadike, ndalova dhe vendosa hamburgerin tim bashkë me ujin mbi fotografinë e tij të printuar siç bënin shumë njerëz para meje.
Kështu është jeta e përditshme në Izrael.
Trishtimi i kësaj lufte që nuk po mbyllet, ndahet në çdo tavolinë, në çdo shtëpi dhe në çdo familje, me bukë dhe me ujë”.
Kaq ishte shënimi i Blushit, i cili menjëherë ka ngjallur një reagim nga ata që në publikun shqiptar njihen si përkrahësit më të zellshëm të çështjes palestineze. Të cilët, janë ndarë në dy pjesë: ajo laike dhe religjoze. Në pjesën laike janë kryesisht grupe politikisht të majta dhe shoqëri civile, kurse në pjesën religjioze hyjnë besimtarë ose klerikë muslimanë të njohur në publik.
Një nga këta është Justinian Topulli. Një zë i njohur në mexhlisin publik të muslimanëve, i shkolluar për teologji, që përdor kryesisht një gjuhë të qetë dhe argumentuese. Topulli, i cili ka qenë edhe kryetar i shoqatës së hoxhallarëve, është një kundërshtar i fortë i drejtuesve të Komunitetit Musliman Shqiptar.
Në një postim të tij Topulli, e shfrenon gjuhën ndaj Ben Blushit, duke e konsideruar siç bëjnë shpesh pjesë nga aradha e xhematit në rrjet kundër çdo personi që ata e quajnë “qafir”-pra jo besimtar.
Postimi i Justinian Topullit
Lëpirja është ves i pështirë, por ja që disa e shijojnë tmerrësisht atë, sidomos ajo që bëhet me llapë. Nuk e di çfarë shije llahtar duhet të kenë të tillë njerëz, që eksitohen duke përlarë gjakun e fëmijëve të Gazës nga çizmet e ndyra të sionistëve?!
Me siguri, ky është ndonjë mutacion atavik që trashëgohet, ose shpërblehet mirë! Si lustraxhi ndoshta, apo larës qenefesh?
Para do kohësh, Beni që “s’ecën vetë”, çirrej, si në kohën e ‘qoftë largut’, për disa patriotë, që pranuan të qeverisin këtë vend nën pushtimin fashist, duke ripërsëritur me patosin e dikurshëm fletërrufenë për kolaboracionistët.
Ndërkohë, siç duket, vetë e ka tejkaluar tashmë këtë stad llaposjeje, në një më poshtë.
Ndaj as mos u habisni, pse në skëterrë disa do të mbushin barkun me qelbësira, sepse u shkon për shtat karakterit të fëlliqur që kanë, që në këtë dynja.
Ngordhsh aty ku je!”
Në komentet poshtë postimit të Justinian efendiut, një hoxhë tjetër që është edhe tip analisti në publik shkruan pa ju dridhur qerpiku: “Amin”! Pra të ngordhë, përkatësisht të vdesë Ben Blushi, vetëm sepse ata nuk ja pëlqejnë një mendim apo postim që ai e ka vënë në faqen e tij personale.
Dhe e bukura është, se këta e mbajnë veten për klerikë. A mundet një klerik të urojë vdekjen, kur dihet se ai nuk është thjeshtë një mallkim, por një kërcënim i pastër, që i kërkohet ndjekësit, besimtarit, sepse del nga goja e një udhëheqësi shpirtëror?!
As Justi, e as “hoxha publicist i djathtë” që thotë amin, në realitet nuk janë të vetmit që kanë këtë qasje. Pasi ka një propagandë të gjerë, edhe mediatike ndaj situatës në Gaza, krimeve të tmerrshme atje, por edhe Hamasit.
Këta as nuk e përmendin Hamasin, as nuk flasin për 7 tetorin dhe lebetinë e frikshme të komandove me mjekër që vranë me breshëri kallashnikovi me gjak të ftohtë, vajza e djem që kishin shkuar në një festë, diku në kufi me Gazën, pranë Detit Mesdhe. Ku i sharruan me kallashnikov, vetëm se kështu i kishte urdhëruar Yahya Sinwar, kreu famëkeq i Hamasit, që urdhrin e kishte marrë nga Irani e ky i fundit nga Rusia, e ka shumë gjasa edhe me qarqe të tjera. Ndoshta edhe me Netanjahun vetë.
Ish-kryeministri izraelit Ehud Elmert, një nga gjeneralët e njohur që ka qenë pjesë e Likud e më pas krijoi Kadima-a, një parti të qendrës me të ndjerin Ariel Sharon, ka dhënë një intervistë për të përditshmen ‘Corriere Della Sera’.
Ku i cilëson vrasjet e civilëve në Gaza si “krime lufte” në formë eksplicite. Por Olmert nuk është i vetmi, në Izrael ka një opinion të gjerë publik, media e intelektualë që kërkojnë paqe. Është vrarë një kryeministër në detyrë i Izraelit si Yitzhak Rabin fill pas firmosjes së paqes me Jaser Arafatin.
Rabin, ka qenë një nga sionistët e parë. Të lindur e të rritur në Jeruzalemin e vjetër nën Perandorinë Osmane, e më pas atë Britanike. Pjesë e luftës kundër britanikëve, ë më pas kundër arabëve, ku u bë kryegjeneral i ushtrisë së shtetit të Izraelit.
Ndërkaq, lobi që e drejton aktualisht Izraelin nuk janë sionistë, por mesianikë, që kërkojnë një Izrael si në Librat e Shenjtë. Babai i Netanyahut, historian dhe teolog i njohur ka shkruar se kufinjtë natyralë të Izraelit janë nga Mesdheu në Eufrat. Këto gjëra diskutohen përditë në mediat botërore dhe brenda në Izrael natyrisht.
Por jo tek ne, pasi “palestinezët” klerikalë e fetarë përdorin vetëm gjuhë urrejtje kundër “sionistëve” dhe duken të gjithë si Fred Cako dhe ai Arianit Sllamniku nga Kosova, që merren me teori konspirative.
Ka një gjë shumë të qartë tek “pro-palestinezët” shqiptarë që kanë të njëjtën gjuhë me Erdoganin dhe politikanët e AKP në Turqi. Ata nuk flasin fare për 7 tetorin dhe për Hamas-in, pasi e konsiderojnë një organizatë rezistence, njëjtë si Turqia. E cila i financon këta “analistë” e “ekspertë të Lindjes së Mesme” që kanë pushtuar televizionet.
Por, edhe pse nuk pushojnë së shkruari e së daluri në TV, askush nuk i dëgjon, sepse nuk kanë verb, s’kanë argument, vetëm propagandë klishe. Ndaj tmerrohen nga një postim i autorëve të tjerë, si Ben Blushi, që ka një audiencë të madhe në publik.
Shefat e tyre në shërbimet sekrete që përkrahin Hamasin, duket u kanë dhënë ultimatum: S’ka replikë, thjeshtë kërcënojeni me vdekje. Dhe e bënë, madje me pikëçuditëse!/Pamfleti