Këshilltari ligjor i PD në KQZ, Marash Logu ka prezantuar ‘dëshmitarin e gatshëm’ sipas tij, për në SPAK, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur me procesin zgjedhor më 11 maj, masakrën elektorale.
Bëhet fjalë për deputetin e PS, Luan Duzha, telefoni i së cilit është sekuestruar nga SPAK, me dyshime për krime zgjedhore.
Përmes një video të shpërndarë në platformën e tij sociale në facebook, Logu shkruan përkrah saj edhe deklaratën e ligjvënësit socialist, Luan Duzha, për pasjen dijeni se kush i blen votat në Elbasan.
‘Një dëshmitar i gatshëm për SPAK’, shkruan Logu, teksa vijon reagimin e tij: “Ju e dini kush i blen votat në Elbasan” – thotë deputeti i PS, Luan Duzha.
Deputeti i PS-së, Luan Duzha, i cili nuk arriti të sigurojë mandat, u pyet nga gazetarët pak para nisjes së seancës parlamentare të së enjtes, lidhur me akuazat ndaj tij për blerje votash në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë që u mbajtën më 11 maj.
Ai tha për gazetarët se nuk ka asgjë të vërtetë, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bërë burg nëse provohet se ka vjedhur qoftë edhe një votë.
“Janë të gjitha gënjeshtra. As nuk kanë kontrolluar dhe as nuk më është sekuestruar telefoni, asgjë! Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg. Pastaj, ju e dini kush i blen votat”, deklaroi ai.