Vjen i nxehti përv*lues/ Ja çfarë na pret javën e parë të qershorit sipas sinoptikanes se njohur

Sipas parashikimeve të motit nga MeteoAlb, pritet të kemi diell dhe temperatura të larta, ndërsa kthjellimet dhe vranësirat kalimtare do të jenë prezente gjatë natës dhe paraditës së së shtunës në gjithë territorin shqiptar. Vranësirat do të jenë të lehta dhe të përqendruara kryesisht në zonat lindore.

Termometri do të pësojë një rritje të lehtë si në mëngjes, ashtu edhe në mesditë. Nga e diela e në vijim, pritet një rritje e vazhdueshme e temperaturave, ndërsa vranësirat do të shfaqen kryesisht në pjesën e dytë të ditës në lindje të vendit. Era do të jetë disi problematike, sidomos përgjatë bregdetit, me shpejtësi deri në mesatare dhe drejtim kryesisht veriperëndimor, perëndimor dhe jugperëndimor gjatë gjithë fundjavës.

Konkretisht, për ditën e shtunë:

Në pjesën e parë të ditës do të kemi diell në zonat veriore dhe në pjesën më të madhe të shtrirjes perëndimore. Vranësira të lehta dhe kalimtare do të paraqiten pjesërisht në juglindje dhe lindje të territorit. Temperaturat e mëngjesit do të kenë një rritje të lehtë – nga 8 deri në 10°C në zonat malore, ndërsa në gjysmën perëndimore të vendit termometri do të shënojë nga 12 deri në 15 apo edhe 16°C në skajin jugor.

Në pjesën e dytë të ditës, pritet shtim i vranësirave të lehta dhe kalimtare në lindje, por edhe në zona qendrore dhe jugore. Megjithatë, bregdeti do të mbetet i kthjellët. Temperaturat maksimale do të pësojnë një rritje të ndjeshme, sidomos në perëndim, ku pritet të arrijnë deri në 30°C në zonat jugperëndimore. Ndërsa në zonat malore, maksimumi do të shkojë deri në 23°C.

Parashikimi për pesë ditët në vijim:

Siç përmendëm, kemi hyrë në një situatë të motit të qëndrueshëm dhe të ngrohtë. Nga dita e diel e në vijim, kthjellimet dhe vranësirat kalimtare do të dominojnë, ndërsa temperaturat do të jenë në rritje të vazhdueshme. Një valë e të nxehtit afrikan ka përfshirë jugun e Europës, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në Ballkan. Kështu, temperaturat në Shqipëri do të variojnë nga 9–13°C në mëngjes dhe nga 31 deri mbi 34°C në mesditë gjatë javës që vjen.

Ballkani këtë fundjavë:

Pjesa më e madhe e Ballkanit do të përjetojë mot të kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare. Të shtunën, vranësira më të zhvilluara priten në Bullgari, një pjesë të Greqisë dhe Turqisë, ku mund të ketë rrebeshe afatshkurtra. Nga e diela, këto reshje do të largohen dhe do të dominojë dielli.

Temperaturat e mëngjesit në Ballkan do të jenë nga 8 deri në 16°C, ndërsa në mesditë priten temperatura mbi 28°C në kryeqytetet e shtrirjes perëndimore. Në verilindje, temperaturat do të arrijnë 30 apo 31°C, ndërsa maksimumi rajonal pritet në Greqi me 34°C të shtunën. Pas së shtunës, në të gjithë rajonin pritet rritje e mëtejshme e temperaturave dhe mot shumë i nxehtë në mesditë.

Në kontinentin Europian:

Të shtunën, jugu i Europës do të përjetojë mot të kthjellët dhe shumë të nxehtë. Në gjysmën veriore të kontinentit do të ketë më shumë vranësira, por reshjet do të jenë të fokusuara kryesisht në ishujt britanikë për shkak të një stuhie të fuqishme ciklonare. Rrebeshe lokale priten edhe në brigjet perëndimore të kontinentit.

Në Europën Qendrore dhe atë Veriore, temperaturat do të jenë në rritje të lehtë – minimumet rreth 8°C dhe maksimumet deri në 23°C. Europa Qendrore do të ketë temperatura mbi 25°C, ndërsa në jug të kontinentit, temperaturat do të kalojnë 36°C në gadishullin Iberik dhe mbi 30°C në kryeqytetet e Mesdheut, përfshirë Romën me 32°C.

Edhe në Ballkan, termometri do të shënojë vlera nga 27 deri në 34°C.