Edi Rama paralajmëron “vd*kjen” e Republikës, Mesazhi i k*duar qe paralajmëron Shqipërinë mbretëri,…

Në një akt që ngjan më shumë me një skenar politik të imagjinuar nga një serial Netflix, por që po merr trajta reale, kryeministri Edi Rama duket se po përgatit terrenin për të shkruar kapitullin më të bujshëm të historisë së tij politike: rikthimin e monarkisë në Shqipëri dhe shpalljen e vetes si “Mbret i Shqiptarëve”. Kjo teori marramendëse ka nisur të marrë jetë pas një sërë zhvillimesh të çuditshme, deklaratash të koduara dhe sinjaleve simbolike, që të gjitha duket se bashkohen në një mozaik intrigash të fuqishme.

Gurt e shahut u lëvizën nga këtë të dielë, ku Nusret Gökçe -“Salt Bae”, mjeshtri i biftekut me flori, postoi një foto në rrjetet sociale me Ramën duke shkruar: “More than a king” (Më shumë se një mbret), shoqëruar me kurorë mbretërore, sy kundër mësyshit dhe zemra të kuqe. Një mesazh i koduar? Apo ndoshta një bekim i “perandorisë gastronomike” për perandorinë politike të Ramës.

 

Por kjo nuk është hera e parë që Nusreti ndërhyn në skenën shqiptare. Kujtojmë darkën famëkeqe të ministrave në Dubai, ku bifteku kushtonte sa një rrogë vjetore shqiptari, rreth 3 mijë dollarë. Kryeministri ka marrë një mandat të katërt qeverisës me 83 deputetë, duke i dhënë kështu pushtet absolut në një republikë që duket se po përjeton agoni. Në një skenë që ngjan me vitin 1928, kur Ahmet Zogu rrëzoi republikën dhe u shpall mbret, Rama, që dikur ishte ministër i Kulturës, tashmë ka të gjitha levat për të ndryshuar Kushtetutën, dhe me një dorë të ngarkuar me penelë artistikë dhe tjetra me vizion autoritar, mund të shpallë fundin e Republikës së Shqipërisë.

Madje për të bërë edhe më dramatike këtë histori, vijnë pretendimet tronditëse të gazetarit të ndjerë Kastriot Myftaraj, i cili në shumë emisione dhe shkrime, ka deklaruar se Rama është nipi biologjik i Mbretit Zog, fryt i një lidhjeje të fshehtë mes Zogut dhe gjyshes së Ramës, Veronika Kolombi, e cila më pas u martua me shoferin e mbretit, Vlash Rama. “CIA e di të vërtetën, kanë bërë testin e ADN-së dhe Rama ka dalë nipi i Zogut”, ka shkruar Myftaraj në një nga shkrimet e tij, duke përmendur edhe një video të vitit 1939 ku, sipas tij, shfaqet Veronika me Zogun në Stamboll.

Dhe vetë Rama nuk e ka mohuar një lidhje indirekte me Mbretin Zog, teksa në emisionin “Zonë e Lirë” ka pranuar se gjyshi i tij ishte shoferi i monarkut. Por mes sfondit të fotove mbretërore, biftekëve të artë, shenjave të pafat të Republikës dhe një Parlamenti të dominuar nga një forcë (Partia Socialiste e Edi Ramës), duket se historia po përsëritet, por kësaj radhe me një pinjoll artist në vend të beut nga Mati, të cilin (Principatën e “Zogollëve”), e sfidon hapur. Dhe në horizont, nuk përjashtohet një deklaratë e papritur nga Kuvendi: “Në emër të popullit, shpallim monarkinë parlamentare shqiptare, me Edi I si mbret të shqiptarëve!”. Por a është ky fundi i Republikës dhe fillimi i një dinastie të re? Apo thjesht një fabul brilante e shkruar nga realiteti shqiptar që shpesh e tejkalon edhe fantazinë? Sido që të jetë, mbreti (Edi Rama) është në fushë dhe shah-mati mund të jetë shumë pranë.

Reagimi i Nusretit

Konkretisht kuzhinieri dhe biznesmeni turk me famë botërore, Nusret Gokçe, i njohur si “Salt Bae” ka postuar dhe një foto me kryeministrin Edi Rama, të shkrepur në ambientet e stadiumit “Allianz Arena”, ku mbrëmjen e kësaj të shtune u mbajt finalja e Champions League. Mbi foton me kryeministrin Rama, Nusret shkruan “më shumë se një mbret”, bashkë me një kurorë, një emoji për “mos marrje më sysh” dhe dy zemra të kuqe. Ndërkaq kujtojmë se Nusreti në Shqipëri është një emër i dëgjuar.

Në janar 2021, një video e publikuar nga restoranti i njohur “Nusr-Et” në Dubai shkaktoi një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku shiheshin ministrat shqiptarë Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, duke darkuar me biznesmenin Samir Mane. Në pamje, ata shijonin një darkë luksoze në një nga restorantet më të shtrenjta të botës, të njohur për biftekët e tij të shtrenjta që shkojnë deri në 3 mijë dollarë. Kjo ngjarje u bë virale dhe nxiti kritika të ashpra nga qytetarët dhe opozita, duke e konsideruar si një shfaqje të papërgjegjshme në një kohë kur vendi po përballej me përmbytje të mëdha.

Rama pranon se gjyshi  tij ka qene shoferi i mbretit Zog

Por sa i takon lidhjeve me mbretin Zog, ka folur edhe vetë kryeministri Edi Rama, të cilit i është bërë dhe një pyetje shumë “pikante”. Teksa ishte i ftuar në emisonin “Zonë e lirë”, në vitin 2021, moderatori Arjan Çani e ka pyetur nëse ka menduar ndonjëherë që të bëhet mbret, duke ironizuar edhe kohën që ka në pushtet. Megjithatë asnjë përgjigje “kompromentuese” nuk është marrë nga Rama, i cili ka kujtuar se gjyshi i tij ka qenë shoferi i mbretit Zog I.

Çfarë ka deklaruara Kastriot Myftaraj?

Ndërkohë, kujtojmë se gazetari i ndjerë, Kastriot Myftaraj, një nga figurat më të njohura dhe kontroverse të gazetarisë shqiptare, ka hedhur në vite dyshime të forta lidhur me origjinën e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai është nipi biologjik i Mbretit Ahmet Zogu. Sipas Myftarajt, Rama është nip biologjik i Mbretit Ahmet Zogu, duke argumentuar se gjyshja e tij, Veronika Maria Kolombi, ishte dashnorja e Zogut dhe më pas u martua me shoferin e tij, Vlash Rama, për të fshehur lidhjen e vërtetë. Ai pretendon se babai i Ramës, Kristaq Rama, ishte djali i paligjshëm i Mbretit Zog, duke sugjeruar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë gjaku mes Ramës dhe monarkut shqiptar .

Madje vite më parë Myftaraj ka përmendur gjithashtu një dokument të supozuar të CIA-s që, sipas tij, konfirmon këtë lidhje biologjike mes Ramës dhe Zogut. Ai ka sugjeruar se ky dokument është përdorur për të shantazhuar Ramën në arenën ndërkombëtare, duke përmendur një video të vitit 1939 ku shfaqet gjyshja e Ramës me Mbretin Zog në Stamboll. Në një nga shkrimet e tij, Myftaraj ka thënë: “Fakti që ky dokument del pikërisht tani, është një provë e tërthortë se CIA e ka bërë testin gjenetik dhe Edi Rama ka rezultuar të jetë nipi i Ahmet Zogut.” Por, është e rëndësishme të theksohet se këto pretendime nuk janë mbështetur nga prova konkrete ose burime të pavarura dhe mbeten në sferën e spekulimeve.

Asnjë institucion zyrtar apo studiues i pavarur nuk ka konfirmuar këto akuza, dhe ato mbeten në nivelin e spekulimeve. Megjithatë pavarësisht mungesës së provave konkrete, këto teori kanë nxitur diskutime në opinionin publik shqiptar, duke shtuar një tjetër dimension në debatin mbi figurën e kryeministrit Rama dhe historinë e familjes mbretërore shqiptare.

Kush ishte Ahmet Zogu?

Nga ana tjetër, kujtojmë se Ahmet Zogu, një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare të shekullit XX, arriti të ngjitet në pushtet përmes një rruge të gjatë politike dhe ushtarake. I lindur më 8 tetor 1895 në Burgajet të Matit, ai vinte nga një familje e njohur feudale. Pas përfundimit të studimeve në Stamboll dhe Vjenë, Zogu u përfshi në politikën shqiptare, duke shërbyer si ministër i Brendshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1920. Në vitin 1922, ai u bë kryeministër i Shqipërisë.

Pas një periudhe të shkurtër në mërgim pas Lëvizjes së Qershorit në vitin 1924, Zogu u rikthye në Shqipëri me mbështetjen e forcave jugosllave dhe bjellogardistëve rusë. Ai rimori pushtetin dhe në vitin 1925 u shpall president i Republikës së Shqipërisë. Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese ndryshoi formën e qeverisjes nga republikë në monarki, dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve me titullin Zogu I .Gjatë mbretërimit të tij, Zogu ndërmori reforma të ndryshme për modernizimin e shtetit shqiptar, por gjithashtu u përball me sfida të mëdha, përfshirë pushtimin italian në vitin 1939, që çoi në mërgimin e tij. Ai ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1961.