Adriana Kalaja, një nga figurat më të zhurmshme dhe luftëtare të opozitës në vitet e fundit, ka njoftuar tërheqjen e saj të përkohshme nga politika aktive dhe angazhimi në Partinë Demokratike. Ajo e justifikon këtë vendim me mungesën e reflektimit dhe analizës së humbjes së zgjedhjeve të 11 majit nga lidershipi i PD-së.
Pasi u sul në mënyrë të përsëritur nga vetë eksponentë të partisë dhe sidomos pasi nuk arriti të bëhej deputete, Kalaja filloi të drejtojë akuza ndaj kolegëve, përfshirë Jorida Tabakun, të cilën e akuzoi për manipulim dhe vjedhje votash brenda partisë. Kalaja nuk kurseu as figura të tjera të PD-së si Shkëlqim Hoxha, ndërsa kritikat më të ashpra i drejtoi ndaj vetë Sali Berishës, me të cilin ishte bashkuar që më 19 maj 2021.
Në një mesazh publik, Kalaja shkruan:
“Përshëndetje njerëz të mirë,
Duke ju falënderuar për gjithë kontributin dhe përkushtimin tuaj në këto zgjedhje dhe jo vetëm, kam vendosur të mos marr pjesë në takimin e sotëm. Pa mohuar se përulem para punës dhe mbështetjes së secilit prej jush, nisur nga fakti se unë politikën e shoh si moral dhe se i jam bashkuar Berishës që më 19 maj 2021 pa asnjë interes dhe pa asnjë përfitim nga 8 vitet e pushtetit të tij, gjykoj se farsa po vijon dhe tallja me demokratët po ashtu.
Arsyetoj se, duke mos hequr dorë nga denoncimi i masakrës zgjedhore, nëse nuk fillojmë analizën nga vetja, duke marrë jo vetëm përgjegjësitë por edhe zgjidhjet, pasi çfarë ndodhi e dinim dhe e kemi parë edhe në zgjedhje të tjera, do të shohim të njëjtin skenar edhe në vitin 2029 – sepse pikësynimi i Ramës është “Shqipëria 2030”. Ndërkohë, pa hyrë në skandalin që ndodhi me primaret e ku nuk u mor asnjë masë, argumentoj se nuk legjitimohem të ngrihem kundër banditit Rama, kur një i ngjashëm me të, si Shkëlqim Hoxha, më vjedh votat brenda partisë
Nuk mund të flas kundër Sara Mile-s e Sudeve të PS-së, kur Sude Tabakut ia mbushën kutitë me vota regjimi i Edi Ramës.
Normalisht, me barbarinë e Kodit të propozuar nga disa dështakë që Berisha i bëri deputetë – dhe askush nuk mban përgjegjësi – por mbi të gjitha me mosreagimin e Berishës dhe strukturave drejtuese për të parandaluar një konflikt të brendshëm që na çoi drejt humbjes. Për të mos thënë me bekimin e tyre (disa prej tyre).
Ndaj, duke ju kërkuar edhe njëherë ndjesë nga thellësia e zemrës dhe duke shprehur mirënjohjen time për secilin prej jush, nuk mund të vijoj të bëhem pjesë e një teatri absurd. Minimalisht, të gjithë ne që kontribuuam për mandatet e atyre që na zgerdhihen në hu e në gaz, që çfarë nuk na akuzuan, duhet të na kërkojnë falje.
Do të rikthehem të kontribuoj njësoj në PD kur Berisha të riorganizojë nga e para partinë, jo bazuar në miqësi e qoka, por në kontributet dhe meritat e gjithsecilit. Deri atëherë, ju uroj më të mirat për ju dhe familjet tuaja.”
Largimi i Kalasë shihet një shenjë e tensioneve të forta të brendshme në radhët e Partisë Demokratike, veçanërisht pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit. Ajo përfundon mesazhin e saj me një falënderim për mbështetësit dhe bashkëpunëtorët, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi në të ardhmen.