Gazetari i bën e fortë për Troplinët, acarohet Altin Dumani dhe jep pergjigjen qe nuk pritej

Kryeprokurori Altin Dumani ka sqaruar për herë të dytë sot detaje nga operacioni i zhvilluar pak javë më parë me Antimafian italiane për goditjen e një grupi të madh kriminal që drejtohej nga Troplinët e Durrësit. Shkak është bërë pyetja e një gazetari që edhe e nervozoi kreun e SPAK.

Përfaqësuesi i nëj prej televizioneve kombëtare ka nisur të bënte një parashtresë dhe paralelizëm mes operacionit të sotëm dhe atij të koduar “Ura” javë më parë, duke provokuar ndërhyrjen e Dumanit, që i kërkoi të dilte menjëherë tek pyetja.

Gazetari: Pyetja ime ka të bëjë me datat, për një konferencë të ngjashme e zhvilluar disa ditë më parë dhe më vijen mirë ndaj ju përgëzova. Siç e theksoi drejtor Rizaj, shkalla e vështirësisë ka qenë mesatare dhe kjo tregon komoditetin e konferencës…

Altin Dumani: Cila është pyetja, pyetja, pyetja

Gazetari: Ka të bëjë me datat. Për operacionin Ura u deshën 20 apo 21 ditë nga vendimi i gjykatës, kurse për këtë operacion masat janë ekzekutuar brenda 24 orëve.

Altin Dumani: E para, edhe kjo datë ka më shumë se dy muaj që është dakordësuar (merr dhe konfirmim nga dy prokurorët Kraja e Shehu dhe i referohet operacionit të sotëm me finlandezët). Tek ai rasti unë e kam shpjeguar dhe e shpjegoj sa herë të doni ju sepse akoma nuk e keni marrë informacionin e plotë mesa duket. (i referohet operacionit Ura).

Kryeprokurori Altin Dumani sqaroi gjithë kronologjinë e datave dhe operacionin e përbashkët me Italinë, në rastin e goditjes së grupit të drejtuar nga Troplinët e Durrësit, i cili trafikonte kokainë nga Ekuadori në Itali dhe më pas e shpërndante në gjithë Europën.

Ndryshe nga sa pretendohet se operacioni për grupin e Durrësit u dakordësua muaj më parë dhe u krye pas zgjedhjeve për të lejuar shitblerjen e votave për PS, Altin Dumani sqaroi se operacioni i parë ka qenë me kompleks për arsye që ai i tha, ndërsa i sotmi i një niveli mesatar.

Altin Dumani: Kërkesa për caktim të masës së sigurimit është depozituar në datë 19 Mars të vitit 2025 dhe vendimi i gjykatës na është dorëzuar fizikisht në datë 5 Maj të vitit 2025 dhe në datë 7 Maj të vitit 2025 është bërë një takim koordinativ në zyrat e SPAK me përfaqësues të Prokurorisë Antimafia të zyrës së Barit.

Është vendosur data 21 Maj bashkarisht siç kemi vendosur dhe për ketë hetim dhe siç kemi bërë sa herë ka hetim të përbashkët. Kjo është. E para, numri i personave që përfshiheshin në procedimin tjetër, shtriheshin në gjithë Europën (operacioni Ura), kurse të kjo çështje ne i kishim të gjithë këtu (operacioni i sotëm).

E dyta, do përfshiheshin jo vetëm autoritetet italiane, por siç u përfshinë në fakt, dhe shumica e personave që gjendeshin jashtë janë arrestuar edhe për shkak të angazhimit të Europol, Eurojust dhe gjithë agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në vendet ku gjendeshin shtetasit shqiptarë që kërkoheshin. Kjo është përgjigja, shpresoj të jesh qartësuar. Opinioni publik është shumë i qartë.