Flavio Briatore ka dhënë një pasqyrë të gjendjes së Majkëll Shumaker, 12 vite pas aksidentit të rëndë, teksa bënte ski dhe i ndryshoi jetën. 75-vjeçari ka ndarë kujtime emocionale dhe vlerësime për legjendën e Formula 1.
Briatore drejtoi Benetonin kur Shumaker fitoi dy titujt e tij të parë radhazi.
75-vjeçari nga Italia ishte i afërt me Shumin, i cili nuk është shfaqur në publik që nga aksidenti i tij në vitin 2013, e për të cilin kujdeset një ekip mjekësor dhe bashkëshortja e tij, Korina, në shtëpinë e tyre në Liqenin e Gjenevës.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Briatore tha se vazhdon që të flasë me familjen e pilotit dhe pranoi se “54-vjeçari është ende i detyruar që të qendrojë në shtrat”.
“Nëse i mbyll sytë, e shoh duke buzëqeshur pas një fitoreje. Preferoj ta kujtoj kështu”, u shpreh Briatore.
Deklarata e 75-vjeçarit përforcon atë që është pohuar më parë nga burime pranë familjes. Ish-bashkëshortja e Briatores, Elisabeta Gregoraçi, ka thënë më herët se Shumakeri “nuk flet, por komunikon me sy”.
Ndërsa djali i tij, Mik Shumaker, ka pranuar në një dokumentar të “Netflix” se komunikimi mes tyre ka ndryshuar pas aksidentit.
“Mendoj se unë dhe babi do ta kuptojmë njëri-tjetrin në një mënyrë tjetër tani”, tha 26-vjeçari në vitin 2021.
Pavarësisht sfidave, familja e Shumakerit ka dhënë shenja të vogla jete publike. Në muajin prill, 7 herë kampioni i botës në Formula 1 nënshkroi një përkrenare të ikonës së F1 Sër Xheki Stjuart, për një nismë bamirësie – një veprim që u përshkrua si “emocional” nga ish-shoku i skuadrës, Xhoni Herbert.
Majkëll Shumaker mbetet një nga pilotët më të mëdhenj në historinë e Formula 1, me 7 tituj botërorë, 155 podiume dhe 71 xhiro më të shpejta gjatë një karriere brilante.
Kur u pyet për pilotin më të mirë të të gjitha kohërave, Briatore përmendi emra të mëdhenj si Shumaker, Sena dhe Alonso, por theksoi se sot “numri një është padyshim Maks Vershtapen”.