Edi Rama miraton Programin Kombëtar të Punës: Trajtim ushqimor, pagesë, dhe 1 vit kontratë pune — Çdo gjë që duhet të dini!

Qeveria shqiptare miratoi këtë të mërkurë Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet publike, një nismë që synon përfshirjen e të rinjve profesionistë në eksperiencën e punës në sektorin publik.

Sipas vendimit të miratuar, çdo vit do të përzgjidhen deri në 600 të rinj për të ndjekur një trajnim 3-mujor dhe më pas, 250 prej tyre do të kenë mundësinë të punësohen me kontratë 1-vjeçare. Kjo periudhë do të njihet si vjetërsi pune.

Kush mund të aplikojë?
Në nenin 2 të vendimit janë përcaktuar kriteret kryesore që duhet të plotësojnë aplikantët:

Të jenë në moshën 21 deri në 29 vjeç.
Të kenë përfunduar një program studimi të ciklit të parë ose të dytë në një institucion të arsimit të lartë.

Të mos kenë marrë pjesë në thirrjet e mëparshme të programit.
Të mos kenë qenë të punësuar më parë në administratën shtetërore apo institucionet publike (përveç rasteve të punonjësve administrativë sipas përkufizimeve ligjore).
Detajet e programit
Programi është i ndarë në dy faza:

Faza I – Praktika 3-mujore: Të rinjtë përfitojnë trajnim pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), si dhe një kompensim ditor prej 500 lekësh dhe trajtim ushqimor. Gjatë kësaj periudhe, çdo praktikant do të vlerësohet nga institucioni pritës për performancën e tij.

Faza II – Punësimi 1-vjeçar: Nga 600 praktikantët fillestarë, deri në 250 do përzgjidhen për punësim:
Deri në 200 persona në administratën shtetërore.
Deri në 50 persona në institucionet publike të tjera.
Përzgjedhja për fazën e dytë do të bazohet në vlerësimin e performancës gjatë praktikës dhe përfundimin me sukses të programit trajnues të ASPA-s.

Financimi dhe mbështetja
Të gjitha shpenzimet për realizimin e programit do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Agjencia Kombëtare e Rinisë do të jetë institucioni përgjegjës për financimin dhe menaxhimin e programit, përfshirë edhe pagesat ditore për praktikantët.

Qëllimi i programit
Synimi i këtij programi është ndërthurja e arsimit dhe tregut të punës, si dhe krijimi i një hapësire reale për integrimin profesional të të rinjve në administratën publike, duke rritur kapacitetet e reja njerëzore në sektorin shtetëror.