gjendet e pajetë esk*rta rumune në Itali

ROMË– Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Romë orët e fundit. Bëhet fjalë për vrasjen makabre që tronditi opinionin publik në Itali.

Trupi i Maria Denisa Paun, e njohur edhe si “Adas”, eskortës rumune 30-vjeçare që jetonte në Romë, u gjet më 4 qershor në një zonë të pyllëzuar pranë një shtëpie të braktisur në Montecatini Terme. Trupi ishte fshehur midis shkurreve, pa kokë dhe i djegur pjesërisht. Denisa ishte zhdukur natën e 15 majit në Prato.

Mediat vendase raportojnë se pak orë pas zbulimit makabër, Karabinierët arrestuan një 32-vjeçar rumun, Vasile Frumuzache, banues në Monsummano Terme, i martuar dhe me dy fëmijë. Ai punonte si roje sigurie dhe konsiderohej i armatosur e shumë i rrezikshëm. Arrestimi u bë në një operacion të koordinuar nga njësitë speciale GIS dhe Prokuroria e Pratos.

Frumuzache e ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Ajo po më shantazhonte, prandaj e vrava.”

Si ndodhi vrasja?

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Pratos dhe Karabinierëve të Firences, nën drejtimin e prokurorit Luca Tescaroli, Denisa u vra natën e zhdukjes së saj në dhomën 101 të një rezidence në rrugën Ferrucci në Prato, ku ajo priste klientët. Një kamerë sigurie regjistroi autorin duke hyrë në rezidencë në orën 22:50 me një çantë të zezë dhe duke qëndruar aty për më shumë se dy orë.

Rreth orës 01:05 të mëngjesit, kamera e regjistroi sërish teksa largohej me valixhen e bardhë të Denisës. Brenda saj ndodhej trupi i pajetë i gruas, i cili më pas u transferua në bagazhin e Golfit të autorit.

Zbulimi i trupit dhe provat

Trupi u gjet mëngjesin e 4 qershorit, në një zonë të pyllëzuar jo larg klubit “Le Panteraie”, falë gjurmimit të GPS-it të makinës së autorit, i instaluar nga kompania e sigurimeve. Vetëm disa metra më tutje, u gjet edhe valixhja e bardhë. Urdhër-arresti për Frumuzache u lëshua mbi bazën e pamjeve të kamerave, analizës së të dhënave telefonike dhe pozicionimit GPS. Prokuroria dyshon se ai ka vepruar i vetëm, por motivi përfundimtar i krimit mbetet ende nën hetim.

Fundi tragjik për Denisën

Denisa, e cila kishte mbërritur në Prato tre ditë para zhdukjes, planifikonte të udhëtonte drejt Bolonjës për takime të tjera pune. Por zhdukja e saj e papritur dhe deklaratat e dëshmitarëve, të cilët e kishin parë të shqetësuar atë mbrëmje, alarmuan familjen dhe autoritetet. Nëna e saj raportoi zhdukjen më 17 Maj./Radar.al