Lamtumira e dh*mbjes e Guidos, djaloshit që iku mes heshtjes! Gazetari publikon mesazhin që 19-vjeçari kerkoi të linte

Fundjava që po lëmë pas ka qenë e errët për vendin tonë. Në vetëm 24 orë, tre persona i kanë dhënë fund jetës, dukë lënë pas dhimbje të madhe, heshtje, por edhe një apel të dëshpëruar për ndërgjegjësimin rreth shëndetit mendor, atë që shpesh herë e kalojmë sikur të mos ishte asgjë.

Mes tyre ishte edhe Guido Dervishllari, 19-vjeçari nga Pogradeci, me ëndrra të mëdha për jetën e tij, por që në gjendje të rënduar psikologjike vendosi që këto ëndrra t’i priste në mes. Një ditë më parë ai u gjet i vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj nga banorët e zonës.

Guido njihej nga të gjithë si djaloshi i talentuar, i qetë dhe miku i mirë i gazetarëve të zonës. Por, siç duket, pas buzëqeshjes së tij fshihej një barrë e rëndë emocionale që fatkeqësisht nuk arriti ta ndajë me askënd.

Së fundmi, ka qenë gazetari Xhensil Shkëmbi, ai i cili ka njoftuar se këtë të diel përcollën për në banesën e fundit Guidon, djaloshin që donte artin me pasion, fshatin, natyrën, fotografinë dhe jetën.

“Sot, teksa përcollëm vëllain tonë në banesën e fundit, fotografin e talentuar dhe shpirtin e ndjeshëm që ishte Guido, sytë më ndalën në një pikturë të vogël e bërë nga vetë ai. E donte artin me pasion. Kishte ndjekur shkollën e pikturës, donte fshatin, natyrën, fotografinë, buzëqeshjen dhe gjithçka që kishte gjallëri. E donte jetën,” shkruan gazetari.

Mes rreshtave Shkëmbi shkruan se i riu nuk kishte folur kurrë për gjendjen e tij emocionale, por tani, që ai nuk është më mes tyre, miqtë e ngushtë janë futur në kujtime duke sjellë në mendjen e tyre disa shenja që ndoshta mund të kishin qenë një thirrje për ndihmë nga ana e Guidos.

E në vijim të këtij postimi ai ka shkruar disa fjalë që , sipas tij, do të ishte ajo çka Guido do donte të linte pas, duke u bërë kështu thirrje të gjithëve që të mos heshtin, të kërkojnë ndihmë kur ndihen të pafuqishëm.

“Në emër të Guidos dhe çdo të riu që hesht, po u them me gjithë zemër; flisni. Kërkoni ndihmë. Zgjidhni jetën”, shkruan ai.

Postimi i plotë i gazetarit:

Mesazhi që Guido do donte të na linte!

Sot, teksa përcollëm vëllain tonë në banesën e fundit, fotografin e talentuar dhe shpirtin e ndjeshëm që ishte Guido, sytë më ndalën në një pikturë të vogël e bërë nga vetë ai. E donte artin me pasion. Kishte ndjekur shkollën e pikturës, donte fshatin, natyrën, fotografinë, buzëqeshjen dhe gjithçka që kishte gjallëri.

E donte jetën. Por brenda vetes, siç kemi kuptuar vetëm këto ditë, mbante një barrë të padukshme që nuk e ndau me askënd. Nuk ishte i diagnostikuar me atak paniku, por ata që e njohën nga afër, pas asaj që ndodhi, filluan të rrëfejnë disa shenja që ndoshta lidhen me ankthin apo vështirësi emocionale. Ndoshta ishte egoja rinore, dëshira për t’u dukur gjithmonë “i fortë”, që e pengoi të fliste. Dhe pikërisht kjo është një nga plagët më të mëdha që prekin të rinjtë sot: heshtja.

Në një çast dobësie, Guido u dorëzua. Vetëm 19 vjeç. Dhe nëse do të kisha edhe një kafe tjetër me të, jam i sigurt se do më kërkonte ta shkruaja këtë:

Mos kini turp të tregoni se nuk jeni mirë.

Mos mendoni se do gjykoheni nëse flisni për ankthin, trishtimin, pasigurinë. Nuk është dobësi të kërkosh ndihmë, është pjekuri. Është guxim. Depresioni nuk është modë. Nuk është trill. Është real dhe kërkon kujdes, si çdo sëmundje tjetër.

Mos u mbyllni në veten tuaj.

Shpesh, të rinjtë mendojnë se do ta kalojnë vetë, se do kalojë me kohën. Por ndihma ekziston. Familja, miqtë, profesionistët, ka njerëz që duan të dëgjojnë, që duan t’ju ndihmojnë. Ju nuk jeni vetëm.

Zgjidhni jetën.

Edhe kur duket e errët. Edhe kur s’e shihni dritën. Edhe kur dhimbja nuk ka emër. Jeta ka kthesa që sot nuk i shihni, por nesër mund të ju befasojnë. Jeta nuk është një moment. Është një rrugëtim. Dhe ju duhet të jeni pjesë e tij.

Dejvi, një shoku im më tregoi se janë me dhjetëra të rinj që vetëm në Korçë vuajnë nga të tilla mendime. Mbase jemi lodhur duke pritur nga instancat përkatëse dhe duhet të bëjmë vet diçka për veten tonë. Për shokët tanë. Për bashkëmoshatarët tanë.

Në emër të Guidos dhe çdo të riu që hesht, po u them me gjithë zemër; flisni. Kërkoni ndihmë. Zgjidhni jetën!