Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që kutitë e qarkut të Tiranës, në zgjedhjet e 11 majit 2025, të rinumërohen dhe do të rivlerësohen, pas kërkesës së koalicionin Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Në mbledhjen e KAS, u tha se me kërkesë të dy anëtarëve të komisionit është vendosur hapja e kutive për Tiranën, përfshirë edhe kutitë me vota nga diaspora.
Për shkak të volumit të madh, rreth 1282 kuti votimi, procesi do të kërkojë kohë për t’u organizuar dhe data e nisjes së rinumërimit mbetet ende e pacaktuar.
Bazuar në nenin 136, pika 3 e Kodit Zgjedhor, anëtarët Elvis Çefa dhe Ledio Braho kërkuan që të bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë.
PD kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e 16 788 votave të pavlefshme. Mes tyre, PD shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që të marrë mandatin e 14, duke ja hequr partisë Mundësia, që në Tiranë ka 2 mandate.
Përveç betejës mes Berishës dhe Agron Shehajt, që do të përballen edhe një herë për votën e partive, do të rinumërohen edhe votat e kandidatëve për të gjitha partitë. Hapja e kutive u jep një shans verifikimi të gjithë atyre që patën një rezultat të ngushtë, nga të gjitha krahët, në garën e brendshme. Kështu, Ilir Alimehmeti shpreson të përmbysë rezultatin dhe të mundë Jorida Tabakun, e cila aktualisht është fituese, me mbi 2400 vota diferencë.
Ky proces do të ringjallë shpresat edhe për disa socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi të mos ankoheshin për rezultatin. Rreth 500 vota është Xhemal Qefalia larg Ornaldo Rakipit, që aktualisht fitoi mandatin. Akoma edhe më e ngushtë është diferenca mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, e cila e humbi mundësinë me 140 vota.
Gjithashtu do të hapen 44 kuti të qarkut të Dibrës vetëm për këqyrjen e votave preferenciale mes kandidatëve. Sot KAS mori vendim qe 587 kutitë e votimit të qarkut Fier do të numërohen nga e para, si vota për partitë, ashtu edhe ajo për kandidatët. Rihapja e të gjitha kutive u bë me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, të propozuar nga PD, Ledio Braho dhe Elvis Çefa.