Një tjetër ngjarje tragjike ka tronditur juglindjen e vendit, ku një tjetër i ri ka vendosur që t’i japë fund jetës në mënyrë tragjike.
Burime për mediat bëjnë me dije se 20-vjeçari i identifikuar si Hysen Lato, është gjetur i vetëvarur në fshatin Gjonomadh në Korçë.
Kanë qenë banorët e fshatit ata të cilët e kanë gjetur trupin e të riut të varur në pemë. E teksa familjarët prej ditësh po e kërkonin, 20-vjeçari dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike i ka dhënë fund jetës.
Policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, si dhe për të hedhur më tepër dritë mbi shkaqet që e kanë çuar të riun të ndërmarrë këtë vendim.
Sakaq kujtojmë se përgjatë ditëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar disa vetëvrasje. Jo më larg se disa ditë më parë, më 7 qershor, i riu Guido Dervishllari vendosi që të priste ëndrrat e tij në mes.
Në gjendje të rënduar psikologjike ai i dha fund jetës duke u vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj. I riu plot jetë, ëndrra, dëshira dhe shpresë, ndërmori aktin ekstrem, ndërkohë që këto ngjarje të cilat fatkeqësisht sa vijnë dhe po shtohen duhet të tundin nga themelet shtetin.
Alarmante është rritja e numrit të së rinjve të cilët po i japin fund jetës, ndaj autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të parandaluar këtë tragjedi e cila për fat të keq është duke prekur brezin e ardhshëm.