Grida Duma, ish-deputetja e Partisë Demokratike dhe një nga figurat më të njohura televizive të momentit në Shqipëri, feston sot 48-vjetorin e lindjes. Por, ndryshe nga çfarë mund të pritej për një personalitet publik me një karrierë të gjatë në politikë dhe media, këtë vit Grida ka zgjedhur të mos e festojë këtë ditë të shënuar për të.
Prej vitesh, Grida Duma është kthyer në një nga figurat me prezencë më të fuqishme mediatike, sidomos përmes debatit të hapur, mesazheve të qarta dhe analizave të thella në panelet televizive. E pranishme aktualisht si moderatore në ekranin e Top Channel, ajo ka ndërtuar një profil të fortë profesional, duke mbetur një zë i rëndësishëm në diskursin publik.
Përkundër viteve që kalojnë, Grida vazhdon të shfaqet në publik me një elegancë dhe vetëbesim që nuk kalojnë pa u vënë re. Ajo e dëshmon se mosha është thjesht një numër, ndërsa bukuria, karizma dhe forca e karakterit sa vijnë e theksohen më shumë në paraqitjet e saj.
Përveç një karriere të spikatur si deputete në parlamentin shqiptar, tashmë ajo është kthyer edhe në një nga figurat më të ndjekura në ekran, ku nuk i mungon asnjëherë sensi kritik, qasja e guximshme ndaj temave delikate dhe aftësia për t’u përballur me çdo debat, sado i vështirë të jetë.
Në ekran, Grida Duma vijon të ruajë një “hije” të fortë politike nga periudha e saj si deputete, të cilën di ta shfrytëzojë me shumë finesë edhe në drejtimin e emisionit të saj. Ky profil i ka dhënë asaj një vend të veçantë në mediat shqiptare, ku zëri i saj dëgjohet me vëmendje dhe vlerësohet si i fuqishëm dhe i argumentuar.
Por këtë vit, pavarësisht arritjeve dhe 48 viteve të jetës, Grida Duma ka zgjedhur të mos festojë ditëlindjen.
Sipas burimeve pranë saj, kjo vendimmarrje është e lidhur me dy arsye shumë personale dhe të dhimbshme.
Së pari, vetëm pak ditë më parë, ish-bashkëshorti i saj, babai i djalit të saj, është ndarë papritur nga jeta. Humbja ka qenë një goditje e rëndë për Gridën dhe familjen e saj, duke e vënë atë përballë një dhimbjeje të madhe personale. Në këto rrethana, organizimi i një feste do të ishte i pamundur për të.
Arsyeja e dytë është po ashtu shumë e rëndë për të. Partneri i saj aktual, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, ndodhet aktualisht në burg, pas një vendimi të debatueshëm të gjykatës, që e dënoi për shpifje, pas kallëzimit që kishte bërë ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për trafik droge.
Burime pranë Gridës konfirmojnë se ajo është thellësisht e prekur emocionalisht nga situata që po kalon partneri i saj dhe mungesa e tij në një ditë kaq të rëndësishme për të, siç është ditëlindja.