Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka reaguar me tone të ashpra ndaj Top Channel,
pas publikimit të një videoje të rëndë që tregon momentet e sherrit mes të miturve ku humbi jetën 15-vjeçari Martin Cani.
Pamjet, të publikuara nga gazetari i këtij televizioni, Eraldo Haricaj, janë shpërndarë fillimisht në profilin e tij në Facebook, duke ngjallur zemërim të gjerë në publik dhe rrjetet sociale.
Videoja, e cila përmban pamje të ndjeshme dhe të dhimbshme për familjarët e viktimës, ka nxitur reagime të shumta për shkeljen e etikës mediatike dhe respektit ndaj të miturve të përfshirë në ngjarje.
Në vijim të kësaj situate, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprën “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, pasi videoja konsiderohet si pjesë e një procesi gjyqësor me dyer të mbyllura.
Në kulmin e reagimeve publike, Arbana Osmani ka shprehur hapur zhgënjimin dhe pakënaqësinë e saj ndaj televizionit ku ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të karrierës.
Ajo ka ndarë në Instagram një lajm që dënon publikimin e videos dhe ka shkruar shkurt:
“Media që nuk duam”, një mesazh i qartë që kritikon mënyrën se si u trajtua kjo ngjarje nga ana e Top Channel.
Ngjarja tragjike dhe trajtimi mediatik i saj po vazhdon të shkaktojë diskutime të mëdha në opinionin publik, ndërsa kërkohet më shumë përgjegjësi dhe kujdes në mënyrën e raportimit të çështjeve që përfshijnë fëmijë dhe dhunë.