Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike në Kanada, ku një grua nga Kosova humbi jetën bashkë me djalin e saj 3-vjeçar.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës. Sipas zëdhënëses së policisë së Montrealit, Caroline Chèvrefils, një telefonatë në numrin 911 u bë rreth orës 21:35 të së martës në lidhje me dy mbytje të mundshme në një pronë të vendosur pranë Avenue 20 dhe Rrugës Provost.
Oficerët dhe ndihmësit mjekësorë që nxituan në vendngjarje gjetën të dy viktimat, të cilët ishin pa ndjenja. Përpjekjet për ringjallje ishin të pasuksesshme dhe vdekja e nënës dhe e djalit të saj u konfirmua në vendngjarje.
Ndërkohë, kryebashkiakja Maja Vodanovic, ka shprehur ngushëllimet familjarëve, teksa bën me dije se një tullumbace që kishte rënë në pishinë, u bë shkak i ngjarjes. Siç u raportua edhe më herët, nëna 34vjeçar u përpoq të shpëtonte djalin e saj 3-vjeçar, por për fat të keq nuk dinte të notonte dhe humbën jetën të dy.
“Dëshirojmë t’u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjarëve. Ishte një tullumbace që ra në pishinë dhe që shkaktoi një sërë veprimesh që çuan në mbytjen e djalit 3-vjeçar dhe nënës së tij 34-vjeçare, e cila u përpoq ta shpëtonte, por për fat të keq nuk dinte të notonte.”, shkruan Vodanovic.