Shqipëria mund të vijojë të kryesojë listën e vendeve të varfra në Evropë, por jo të gjithë njohin këtë anë të vendit tonë.
Ajo është Shqipëria e ‘popullit’, e rrogëtarëve dhe e 1 milionë personave që jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (këtu mund të përmendim vonesat në pagesat e kredisë ose të qirasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra apo pamundësinë për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia si dhe pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja).
Por, ka dhe një Shqipëri tjetër, e atyre që kanë në duar taksat e këtyre të ‘varfërve’, që vulosin ligje, por që vetë mund të themi pa frikë se zotërojnë pasuri të frikshme.
E pavarësisht akuzave të njëpasnjëshme me të cilat mund të jenë përballur, nuk janë ‘tutur’ aspak që t’i fshehin pronat. E vetmja ‘lëvizje’ që mund të kenë bërë është kalimi i ndonjë prone si trashëgimi tek fëmijët, që në fund të fundit, flet mirë për ta si prindër.
Open Data, ka rreshtuar sot pasuritë e 50 deputetëve që pritet të betohen në Kuvend në shtator. ZËRI i vëzhgoi me vëmendje deklaratat e tyre të pasurisë, që ngjasojnë me ato të një elite botërore. ZËRI ju sjell sot një listë me emra deputetësh, të majtë e të djathtë, që kanë llogari marramendëse të mbushura me para e valuta të huaja, ndërsa në ekrane flasin për taksa, për rritje çmimesh, shtrëngojnë duart me biznesin e vogël përpara zgjedhjeve dhe kërkojnë votat e qytetarëve.
E shumë prej tyre nuk janë stepur t’i futen as botës së biznesit.
Përmendim këtu Agron Malajn. E ka nisur karrierën e tij si Drejtor Rajonal i OSHEE-së Burrel, por paralelisht ka themeluar dhe Global Security Sh.p.k, kompaninë e sigurisë private, e cila është lthyer në një nga më të përhapurat në vend. Në vitin 2019, Malaj u bë kryebashkiak i Matit, por tashmë pret të zërë ulësen në Kuvend si një prej deputetëve më të kamur. Dhe kjo, falë biznesit që zyrtarisht sot e drejton vëllai i tij, Fatos Malaj.