Sipas Vrapit, kjo është një sëmundje virale e re për vendin dhe jashtëzakonisht agresive në përhapje dhe pasoja.
“Ka qenë një problem për rajonin, ku vitin e kaluar Greqia e vuajti rëndë. Sëmundja është e re dhe sëmundshmëria mund të arrijë në 100 për qind, ndërsa vdekshmëria kalon 70 për qind”, tha ai.
Infektimi ndodh kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, me objektet e kontaminuara apo sekrecionet që ato lëshojnë. Vrapi theksoi se nuk ka trajtim specifik për sëmundjen, ndërsa masat parandaluese janë thelbësore.
Ai rekomandoi që fermerët të shmangin futjen e kafshëve të reja në tufë dhe të jenë të kujdesshëm ndaj personave të panjohur që hyjnë në ambiente blegtorale.
“Sëmundja nuk përbën rrezik për njerëzit dhe nuk transmetohet tek njeriu, por mishi i kafshëve të infektuara nuk duhet konsumuar dhe duhet të asgjësohet me groposje, në mënyrë të kontrolluar”, theksoi veterineri.
Sipas tij, virusi është i ngjashëm me atë të murtajës së gjedhit dhe godet rëndë sistemin respirator të kafshëve. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë (deri 42°C), apati, mungesë oreksi, diarre dhe dobësi të përgjithshme.
“Këto janë sinjale që duhet të alarmojnë fermerët dhe t’i nxisin të njoftojnë menjëherë autoritetet veterinare”, nënvizoi Vrapi.
Autoritetet veterinare kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe bashkëpunim të ngushtë me mjekët lokalë për të identifikuar dhe izoluar me kohë çdo rast të dyshuar, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes që mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në blegtori.