‘Ah…era shtet’, si e bëri Flamur Noka direkt drejtoreshë Greta Koçin pa punuar asnjë ditë më parë në administratë, detyrat që i caktoi dhe fshirja e ditëlindjes në kontratë (dokumenti)

Është bërë virale një video e sekretarit të PD-së Flamur Noka, i cili gjatë një interviste me gazetarin Roland Qafoku në Dritare Tv, përpos të tjerave, thotë se Shqipërisë do t’i vijë era shtetat pas 12 majit, duke nënkuptuar se PD-ja do të fitojë zgjedhjet dhe do të rikthejë demokracinë, shtetin ligjor, rregullin etj.

PD-ja i humbi zgjedhjet më thellë se sa e parashikuan sondazhet. Megjithatë, PD-ja ka qeverisur vendin gjatë viteve 2005-2013. Dhe pikërisht nga mënyra se si ka qeverisur dhe ‘ka bërë shtet’ vijon të ndëshkohet me votë prej 12 vitesh.

Flamur Noka ka qenë ministër i Brendshëm gjatë periudhës qershor 2012 deri në shtator 2013, kohë gjatë të cilës ka ‘dhënë prova’ që tregojnë konceptin dhe mentalitetin e PD-së për shtetin, meritokracinë dhe demokracinë.

Një nga shembujt është emërimi i këngëtares Greta Koçi direkt drejtoreshë e Drejtorisë së Marrëveshjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit në Ministrinë e Brendshme, pa punuar asnjë ditë më parë në administratë, pa arsim përkatës, pa plotësuar kriteret, pra me katapultim, thjeshtë qokë politike, duke shkelur parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Dokumenti i emërimit të Greta Koçit drejtoreshë është firmosur në 9 prill 2013 nga Isuf Çelaj, i cili në atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, ndërsa Noka ministër.

Në kontratën e firmosur për të filluar punë Greta Koçi si drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme, mungon data e lindjes së këngëtares. Vendi ku duhej shënuar data e lindjes së drejtoreshës së re është lënë bosh, duke reflektuar kështu një kompleks të këngëtares, e cila për vite me radhë thoshte se ishte 16-vjeçe

Ndërkaq, data e fillimit të punës është shënuar katër ditë para datës kur është firmosur kontrata.

Dokumenti i punësimit parashikon 6 kushte që duhet të plotësonte këngëtarja. Një nga kushtet është edhe të respektojë orarin e punës, ndoshta më i vështiri për t’u përmbushur nga Greta Koçi, e cila kishte shumë angazhime artistike, por edhe politike, pasi Koçi ishte edhe kryetare e FRPD-së.

Nuk ka të dhëna se si këngëtarja u larguar nga posti i drejtoreshës dhe as nëse është paraqitur ndonjë ditë në punë! Por, dihet tashmë se Partia Demokratike, menjëherë pas humbjes së pushtetit nisi të shqetësohej për fatin e njerëzve të saj në administratën publike. Në vitin 2014, PD-ja kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimet në administratë. Komisioni i u ngrit në janar të vitit 2015, por shumë shpjet u braktis nga anëtarët e PD-së.

I pyetur vite më vonë për raportet me këngëtaren, Noka ka pohuar se “ka pasur gjithmonë marrëdhënie zyrtare e korrekte”. Nuk dihet nëse Noka ka pasur në mendje mënyrën e punësimit të Greta Koçit kur premtoi se pas 12 majit vendit do t’i vinte era shtet.