Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tolentinos në provincën e Maceratës, Itali. 45-vjeçarja shqiptare, Gentiana Hudhra, nënë e dy vajzave 21 dhe 23 vjeç, u sulmua dhe u vra në mes të rrugës, para syve të kalimtarëve.
Sipas hetimeve paraprake, autori është ish-bashkëshorti i saj 55 vjeçar, Nikollaq Hudhra, i cili tashmë është arrestuar nga policia italiane. 45-vjeçarja po shkonte për në punë, rreth orës 20:00, kur u sulmua pranë parkut të qytetit, aty ku kalonte zakonisht.
Dëshmitarët kanë dëgjuar britmat e saj dhe kanë lajmëruar menjëherë ambulancën, por fatkeqësisht gruaja u gjet pa shenja jete. Sipas tyre, autori fillimisht e goditi me thikë dhe më pas i gjuajti me shqelma.
“Bëra atë që duhet të bëja”, mësohet të ketë thënë autori, pas aktit makabër. Policia e gjeti të ulur në stol, ndërsa 55-vjeçari nuk bëri rezistencë. Ka dyshime se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Hetimet për motivet dhe rrethanat e ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse ka pasur më parë denoncime për dhunë ose kërcënime nga ana e viktimës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal, ndërsa forcat e rendit po vazhdojnë punën për të sqaruar detajet e ngjarjes.
Siç shkruajnë mediat e huaja, çifti ishte divorcuar tre vite më parë.