Një moment emocional dhe tronditës ka ndodhur në spektaklin “She’s On Top”, ku modelja 22-vjeçare Marigona Halilaj ka rrëfyer me lot në sy historinë tragjike të jetës së saj.
E reja nga Gjilani preku publikun dhe jurinë teksa tregoi se në moshën 2 vjeç e gjysmë humbi të atin, i cili u vra nga nëna e saj për të shpëtuar jetën e fëmijëve.
Sipas Marigonës, babai ushtronte dhunë ekstreme në familje dhe ishte bërë kërcënim i vazhdueshëm për jetën e tyre.
“Mami ka qenë e detyruar ta bënte për të na shpëtuar. Babi donte të vriste vëllain me thikë, pastaj të gjitha ne. S’kishte më rrugë tjetër përveçse të na mbronte.”
Ajo rrëfeu se nëna e saj e kishte denoncuar disa herë dhunën në polici dhe kishte kërkuar të largohej nga burri, por institucionet nuk kishin reaguar në kohë. Tragjedia ndodhi në qershor të vitit 2005, kur babai, i armatosur me thikë, tentoi të kryente një masakër në familje.
“Mami vetë u dorëzua në polici. Më pas, shteti na mori nën kujdes. Por edhe gratë e tjera me të cilat babai kishte qenë i martuar, dhe fëmijët e tij, e mbështetën mamin. Të gjithë dërguan letër në gjykatë për të kërkuar lirimin e saj.”
Marigona tha se edhe pse e rritur mes vuajtjesh dhe mungese, nëna e saj ka qenë gjithmonë shtylla dhe mbështetja më e madhe.
“Është shumë suportuese. Beson shumë tek unë. E mora me vete edhe në audicionet e para të ‘She’s On Top’.”