Nga Ilir Dako
Kryeministri shqiptar pasi qëndroi për disa ditë në Austri, në pritje të ftesës për të marrë pjesë në ditëlindjen e 79 të Donald Trump dhe 250 vjetorit të ushtrisë amerikane, pas sinjalit negativ të Grenëll përfundoi në ceremoninë e dasmës së Aleksit. Pas vizitave mjekësore në Vjenë kaloi oqeanin për të përfunduar në një hotel pranë vilës të Soros së bashku me Lindën, Zahon dhe thjeshtrën, vajzën e Lindës. Udhëtimi i Ramës i përkufizuar sipas një proverbi popullor përfundoi: “Pasi nuk hëngri pulën Trump u ndje i lumtur duke ngrënë sorrën Soros”.
Pasi i fshiu të gjitha fotot e “vëllait” të tij nga George, në të gjitha rrjetet sociale, duke u munduar të fshijë biografinë e tij sorosiane, kryeministri shqiptar mesa duket po i kthehet shoqërisë së vjetër. I refuzuar nga elita trumpiane në Mynih si bufoni i Sorosit dhe në pamundësi të një vizite në paradën e ushtrisë amerikane, Edi Rama lajmëroi nëpërmjet agjitpropit të tij se të hënën do presë ministerialin e Europës Juglindore. Një tjetër shpenzim marramendës për taksapaguesit shqiptar, ku paratë vërshojnë lumë për të pritur dhe përcjellë një takim pa bereqet.
Identike si samiti me krerët e BE, që të vetmin lajm që prodhoi në mediat botërore ishte telefonata mes Zelenskit dhe Trump, gjithçka tjetër ishte një propagandë butaforike e bufit tonë kryeministër. Kosto me mbi 10 milionë euro, shtet i pezulluar për tre ditë dhe gjithë skenari ishte publicitet i zhgaravinave të fantazisë të harlisur të Edit që mbushnin muret e kartongesit të sallës së samitit.
E njëjta gjë do të ndodhë dhe titën e hënë. Rrugë të bllokuar. Qytetarë që do të presin në mes të diellit për orë të tëra nëpër rrugët e bllokuar për të kaluar delegacionet që do vijnë do hanë qyl dhe do të ikin me faturën në kurriz të shqiptarëve që e paguan sebepçiu ynë hokatar.
Duhej përmendur samiti i Europës juglindore për të harruar shpenzimet e dasmorit të Aleksit që bën rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve si qoka personale së bashku me kuç e maç që e shoqërojnë. Duhej përmendur ky samit që njerëzit mos merren me dasmorin e Sorosit, që nuk i dhanë asnjë ftesë as për të parë paradën e tankeve të Donaldit.
Si përfundim kryeministri ynë qokaxhi shkoi për Trumpin, përfundoi te dasma e Aleksit dhe u mburr me samitin e Europës Juglindore.