Tirana, 14 qershor 2025 –
Një tjetër kapitull është shtuar sot në sagën e gjatë dhe të errët të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sekuestrimit për dy llogari bankare në emër të Ahmetajt, si dhe për një apartament në pronësi të ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka. Vendimi i marrë nga gjyqtari Dhimitër Lara konfirmon vlefshmërinë e urdhrit të mëparshëm të datës 17 korrik 2023, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes dhe rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese për rishqyrtim.
Lista e pasurive të sekuestruara
Vendimi i sotëm përfshin:
Një apartament 167 m² në Tiranë në emër të ish-bashkëshortes;
Llogari bankare me shumën 8.620,68 euro;
Depozitë me shumën 115.692,84 euro në emër të vetë Ahmetajt.
Në total, bëhet fjalë për mbi 124 mijë euro pasuri të ngrira, të cilat, sipas SPAK, dyshohet se burojnë nga lidhjet e tij të favorshme me biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, autorë të skemës së shumëpërfolur të inceneratorëve.
Këto vlera pasurojnë një listë më të gjerë sekuestrimesh të mëparshme që përfshijnë katër apartamente, aksione, udhëtime luksoze, transferta të pajustifikuara dhe dokumentacion financiar që hedh dritë mbi rrjetin e përfitimeve të dyshuara.
Një arratisje që u shoqërua fillimisht me zhurmë…
Arben Ahmetaj, që prej qershorit 2023 është zyrtarisht në arrati, ndërsa në korrik 2024 është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Fillimisht, ndonëse i zhdukur fizikisht nga Shqipëria, ai nuk heshti. Përkundrazi, në fundvitin 2023 dhe fillim 2024, Ahmetaj shfaqej herë pas here në intervista të bujshme në Syri TV, ku gazetari Çim Peka i ofronte hapësirë për të folur si “zë rebel i brendshëm” ndaj qeverisë Rama.
Në këto dalje, ai premtonte se “do të zbardhte të vërtetën për inceneratorët”, por shkonte më tej: paralajmëronte me tone të ashpra se do të zbulonte fakte tronditëse për manipulimin e zgjedhjeve dhe marrëveshje të fshehta të kupolës politike. Por ndryshe nga buja e fillimit, pas muajit janar 2024, Arben Ahmetaj heshti plotësisht.
Nuk pati më intervista, deklarata, apo postime. Asnjë zë, asnjë lajm. Heshtja e tij, në kontrast me tonet e forta që përdori publikisht, ushqeu dyshime të shumta në opinionin publik: mos vallë zbulimet e paralajmëruara u ndaluan nga dikush? Apo mos vallë ai vetë e kuptoi se zërat e tij nuk kishin më peshë përballë vendimeve që po afrohen?
SPAK përshpejton goditjen
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka vazhduar me vendosmëri hetimet për dosjen e Ahmetajt, duke i shtuar gjithnjë e më shumë elementë ekonomikë dhe penalë. Burime konfidenciale pohojnë se SPAK është afër finalizimit të kërkesës për konfiskimin përfundimtar të pasurive, ndërkohë që bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare për lokalizimin e Ahmetajt është intensifikuar, por deri më tani pa rezultat.
A do të flasë sërish Arben Ahmetaj?
Kjo mbetet një nga pyetjet më të nxehta në politikën shqiptare. Dikur i zëshëm, sfidues dhe i etur për të rrëfyer, tani Arben Ahmetaj është kthyer në një figurë të heshtur, të largët dhe misterioze. Pavarësisht mungesës së tij fizike dhe zërit të tij në media, drejtësia po ecën, dhe çdo ditë që kalon, rrethi ligjor ngushtohet.
Arben Ahmetaj mund të jetë i zhdukur dhe në heshtje, por e kaluara e tij nuk hesht. SPAK po ndërton një dosje të fuqishme, gjykatat po blindojnë pasuritë dhe publiku shqiptar pret një përgjigje të madhe: a do të ketë drejtësi për një nga simbolet më të përfolura të tranzicionit dhe aferës së inceneratorëve?