Vendimi për dënimin me 7 vite burg të ish-efektivit të Forcave Speciale, Arbër Paplekaj, ka marrë formë të prerë. Katër vite pas vrasjes që tronditi vendin dhe përgjaku zgjedhjet parlamentare, në Prill 2021, afatet e rekursit kanë përfunduar dhe Prokuroria e Apelit është mjaftuar me dënimin me 7 vite burg.
Ish-efektivi i Forcave Speciale, Arbër Paplekaj kërkon të lirohet me kusht nga qelia. Ai ka bërë kërkesë në Gjykatën e Durrësit dhe pretendon se e ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit me 7 vite burg që mori formë të prerë pak javë më parë.
Katër vite pas vrasjes që tronditi vendin dhe përgjaku zgjedhjet parlamentare, në Prill 2021, dhe kur shumica e dënimit prej 7 vitesh konsiderohet e kryer për shkak të qëndrimit në paraburgim, Arbër Paplekaj kërkon nga togat e zeza që të lirohet me kusht.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-specialit të RENEAS është caktuar të mbahet më datë 16 Korrik dhe pritet me interes se çfarë vendimi do të merret. Edhe kur dënimi mori formë të prerë, me 7 vite, Prokuroria nuk bëri rekurs.
Mjeku dhe militant i Partisë Socialiste në Elbasan, Pjerin Xhuvani ose siç e thërrisnin me nofkën “Pipi”, mbeti i vrarë me armë zjarri si pasojë e një konflikti mes grupit të tij dhe mbrojtëve të votës së PD.
Arbër Paplekaj është dënuar fillimisht nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burg për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, por nuk e ka pranuar këtë vendim, duke pretenduar se gjithçka kishte ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe tronditjes së fortë psikike.
Pas një beteje gjyqësore, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë me 7 vite burg, sepse akuza u ndryshua dhe vrasja e Pjerin Xhuvanit u klasifikua si “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Në vendimin e argumentuar, treshja e gjyqtarëve të Apelit thonë se:”…provohet se i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në kushtet e tronditjes psikike, e cila është shkaktuar nga dhuna dhe fyerja e rëndë e viktimës (Pjerin Xhuvani). Tronditja psikike, ka lindur për shkak të veprimeve të padrejta të viktimës në mënyrë të atë çast dhe të përkohshme…”
Prej Dhjetorit 2024 kur ka përfunduar procesi gjyqësor dhe është zbardhur vendimi, Prokuroria e Apelit në Tiranë nuk ka ushtruar Rekurs pranë Gjykatës së Lartë, duke çuar në pranimin e konkluzionit të nxjerrë nga togat e zeza për dënim me 7 vite burg.
Në këto kushte, dosja penale ndaj Arbër Paplekaj është arkivuar në arshivën e Gjykatës së Elbasanit dhe brenda 1 viti e gjysmë, ish-efektivi i Forcave Speciale RENEA pritet të lirohet nga qelia, sepse dënimi konsiderohet i shlyer. Megjithatë, Arbër Paplekaj kërkon që të mos qëndrojë më as 18 muaj prapa hekurave, por të lirohet me kusht parakohe.