A po tenton Rama të luajë me dy porta?
Ndonëse kryeministri Edi Rama u kujdes ta mbante të fshehtë, fotot dhe detajet nga dasma e Alex Sorosit dolën në publik. Kreu i qeverisë i vuri drynin Parlamentit dhe iku në SHBA dy ditë para dasmës, teksa është trajtuar si një njeri i familjes Soros.
Që pas fitores së Trump, Rama është kujdesur të mos e reklamojë miqësinë me djalin e George Soros. Dihet që ata janë armiq të Trump dhe ky i fundit nuk i ka qejf ata që flirtojnë “sa andej këtej”. Rama ka shmangur fotot me Sorosin dhe takimet që pas fitores së Trump. Madje, edhe kur u bë samiti i BE-së në Tiranë, Soros mungoi, ndonëse ai nuk i lë mundësi të tilla t’i ikin.
Por në fillim të qershorit po qarkullonin zëra në korridoret e politikës se Rama do të udhëtonte në SHBA, dhe ‘Pamfleti’ zbuloi i pari se në fakt kreu i qeverisë do shkonte jo për të takuar zyrtarë vendas, por për të qenë prezent në kurorëzimin e “vëllait” të tij, Alex Soros.
Vetë Rama e mbajti të fshehtë. Nuk ka asnjë foto apo ndonjë mesazh urimi në rrjetet sociale nga ana e tij. Po ashtu, vetë Alex-i nuk ka shpërndarë foto nga ceremonia, duke ruajtur anonimitetin e të ftuarve.
Por i ka nxjerrë zbuluar revista e modës “Vogue”, e cila ka bërë një artikull të gjatë mbi ceremoninë, shoqëruar edhe me foto. Në një prej tyre, Rama është krah Alex-it, dhe në një tjetër duket i fshehur, teksa ndodhet në tavolinë.
Vetë revista ka dhënë edhe detaje nga ajo që ndodhi në ceremoni, teksa bie në sy se Rama ka qenë ndër të vetmit liderë në Evropë që kanë marrë pjesë, dhe ai është trajtuar sikur të ishte pjesë e familjes Soros. Ai ka qenë mes njerëzve më të guximshëm që kanë ngritur dolli.
“Gjatë gjithë vaktit, u ngritën dolli nga djali i Abedin-it, Jordan; vëllai i madh i Alex-it, Jonathan Soros; kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Anna Wintour (kryeredaktore e Vogue); James Rothschild, i cili shërbeu si shoqëruesi jozyrtar i dhëndrit; dhe Daniel Sachs (themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i P Capital Partners)”, thekson artikulli.
“Vogue” ka dhënë detaje edhe nga dollia e Edi Ramës: “Edi mbajti një nga dollitë më të mira të mbrëmjes… përfshinte një shprehje rreth preferencës për vejushat në vend të të divorcuarave. Duhej të ishe aty për ta kuptuar”.
Por ngrihet pyetja: Pse Rama e mbajti të fshehtë? Dyshimet janë se kryeministri po tenton të luajë me dy porta. Nga njëra anë mundohet të ruajë marrëdhëniet me Trump, dhe nga ana tjetër me armiqtë e tij. Ai ishte i pranishëm në një event ku ishin dy prej rivalëve kryesore të Trump: Hillary Clinton dhe Kamala Harris.
Kryeministri e di se Trump nuk gënjehet dot. Edhe pak ditë më parë ambasada i dërgoi selamin – asnjë urim ndaj tij për zgjedhjet. Mirëpo kryeministri duket se ka bërë zgjedhjen e tij, dhe pasojat do t’i vuajë Shqipëria nëse ka tensione në marrëdhëniet me SHBA. /Pamfleti