Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, thotë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa në botë ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten.
I ftuar në “Debat nga Alba Alishani”, në A2 CNN, Panariti tha se sa herë që çështja shqiptare diskutohet në tryezat e mëdha, që zakonisht realizohen pas përfundimit të konflikteve të mëdha, shqiptarët kanë dalë të humbur. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, u shpreh Panariti.
Ai tha se pikërisht për shkak të historisë, Serbia përpiqert t’i shmanget zgjidhje dypalëshe me Kosovën dhe kërkon ta dërgojë çështjen në nivelet e larta të politikës botërore. “Prandaj kam insistuar gjithmonë që Kosova me Serbinë duhet ta kishin zgjidhur këtë nëpërmjet dialogut, nëpërmjet zbatimit të planit franko-gjerman. Por pa dyshim Vuçiç nuk ka qenë i interesuar për dialog”, tha Panariti, shkruan A2 CNN.
“Ai minoi, sabotoi edhe marrëveshjen në Maqedoninë e Veriut, ai refuzoi të nënshkruarnte planin frako-gjerman. Ishte edhe dobësi e emisarëve të BE, të cilët nuk u imponuan që të mos largoheshin nga tryeza pa u bërë nënshkrimi. Sepse agjenda e Vuçiçit ishte tjetër, ai mendonte që çështjen e ambicieve që Serbia ka në raport me Kosovën ta zgjidhte në nivel tjetër, duke pritur rikonfigurimin e madh të rendit botëror dhe mendonte ta nxirrte nga hullia e dialogut, por ta çonte në një zgjidhje të niveleve më të larta. Dhe gjithmonë, historia ka treguar që kur çështjet kombëtare tona kanë shkuar në tryeza të larta, kemi dalë të humbur”.
Në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913 dhe në Konferencën e Paqes në vitin 1919 pas përfundimit të Luftës I Botërore, Shqipëria edhe pse u njoh zyrtarisht si shtet, humbi thuajse gjysmën e territorit të banuar nga shqiptarët, për shkak të negociatave mes Fuqive të Mëdha, një pjesë e të cilave mbronin interesat e vendeve fqinje si Serbia dhe Greqia. Edhe në fund të Luftës II Botërore, në Konferencën e Jaltës, Shqipëria u la thuajse totalisht jashtë diskutimeve dhe u fut në “kampin lindor” pa asnjë përpjekje për të ndryshuar situatën. (A2 Televizion)