Ervis Martinaj, një ndër eksponentët më të rëndësishëm të krimit shqiptar dhe personazhi më i kërkuar nga drejtësia, rezulton i zhdukur pa gjurmë prej afro tre vitesh. Prej datës 9 Guht 2022, askush nuk di asgjë për fatin dhe vendndodhjen e tij.
Këtë e ka pranuar sot dhe vetë SPAK. Prokurori i posaçëm Behar Dibra është shprehur në sallën e gjyqit se organi i akuzës nuk di asgjë për fatin e “mbretit të kumarit” dhe as vendndodhjen e tij.
Dibra është përfaqësues i SPAK në gjyqin kundër kreut të klanit “Duka”, shtetasit Leonard Duka, për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Avokatja e tij ka kërkuar që në gjyq të thirret për të dëshmuar dhe Ervis Martinaj, por SPAK ka “ngritur duart” përballë kësaj kërkesë.
“Për thirrjen e personave për të dhënë deshmi, nuk dihet akoma fati i Ervis Martinaj, vendndodhja e tij per më tepër. Disa prej tyre që kërkohen nga avokatja janë pjesë e këtij gjykimi. Leonard Duka mund të dëshmojë patjetër. Të tjerët janë të pabazuar”, është shprehur prokurori Behar Dibra.
Edhe sot e kësaj dite, biznesmeni i basteve dhe një ndër njerëzit më të fuqishëm të kumarit në vend, rezulton i zhdukur pa gjurmë.
Për zhdukjen e tij janë hedhur shumë hipoteza, nga aleanca e grupeve kriminale për ta hequr qafe, e deri te mundësia që ai të jetë tërhequr vetë nga aktiviteti, për shkak të ofensivës së madhe të rivalëve. Megjithatë, të gjitha kanë mbetur thjesht hipoteza.
Zyrtarisht, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur pa gjurmë prej datës 10 Gusht 2022 dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Lezhës. Ishin vetë ata që gjetën pamjet e kamerave të sigurisë ditë më pas, duke i dorëzuar pranë autoriteteve.