Nga Frank Gardner
Ky konflikt tani ka arritur në një pikë kritike. Ajo që Donald Trump vendos të bëjë ose të mos bëjë mund të përcaktojë atë që do të ndodhë më pas në Lindjen e Mesme.
Transmetimi i sotëm televiziv nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka shpërndarë çdo shpresë të gabuar që Republika Islamike ishte gati të kërkonte paqe.
Përkundrazi, Ajatollah e ka kërcënuar Trumpin, me hakmarrje të tmerrshme nëse Amerika bashkohet me sulmet e Izraelit.
Irani mund të jetë dobësuar rëndë, jo vetëm nga sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite të ditëve të fundit, por edhe nga humbja ose çmontimi i aleatëve të tij rajonalë në Liban, Siri dhe Gaza.
Por prapëseprapë mund të shkaktojë shumë dëme. Në krye të listës së objektivave të saj, nëse SHBA-të sulmojnë Iranin, do të jenë bazat e shumta amerikane të shpërndara përgjatë Gjirit. Selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane në Mina Salman në Bahrein është një objektiv i dukshëm, por edhe bazat e Amerikës në Irak dhe Kuvajt janë të tilla.
Por nuk mbaron me kaq. Sulmi masiv me dronë i shtatorit 2019 ndaj industrisë petrokimike të Arabisë Saudite ishte një mësim i dobishëm se sa të cenueshme janë asetet ekonomike të Gjirit ndaj raketave dhe dronëve iranianë.
Nëse regjimi iranian do të ndiente se mbijetesa e tij ishte në rrezik, ose nëse do të vendoste që fqinjët e tij arabë të Gjirit ishin bashkëpunëtorë në sulmin ndaj tij, atëherë mund të tundohej të sulmonte impiantet e desalinizimit, terminalet e eksportit të naftës ose edhe të minonte Ngushticën strategjike të Hormuzit, duke mbytur gati 30% të furnizimeve botërore me naftë.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC