TIRANË– Ilnisa Agolli është rikthyer mbrëmjen e së martës në ekranin e Top Channel dhe në valët e Top Albania Radio me podkastin e saj, “FLET”.
I ftuari i parë i këtij sezoni të dytë ishte ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë.
Ilnisa e ka pyetur ish-kryeministrin Berisha edhe në lidhje me bashkëshorten e tij, Liri Berisha. Kryedemokrati ka zbuluar në këtë intervistë edhe anën e tij romantike.
“Ajo ka qenë studente në Fakultet të Mjekësisë dhe unë pedagog. Nuk i kam dhënë direkt mësim grupit të saj. Unë jepja mësim në vit të 3. Në vit të 4 jam njohur me të, jemi afruar, jemi dashuruar. Mbaroi studimet dhe u martuam.”-tha Berisha.
ILNISA: Çfarë përfaqëson ajo tek ju doktor?
Berisha: Tani, se çfarë përfaqëson ajo është e thjeshtë të thuhet gjysma, por shumë më tepër. Sepse, në profesion ishte një mbështetje e madhe për mua, por dhe unë për atë. Edhe unë e kam mbështetur atë. Në kuptimin, e kam ndikuar që të zgjedhë pediatrinë. Po, ja sugjerova! Ajo u apasionua shumë pas pediatrisë. Por, përveç profesionit mund të them që e gjithë aq sa është përcaktues mjedisi familjar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është violina e parë. E ka luajtur atë rol në mënyrën më të fuqishme, më të përsosur./Radar.al