I ftuar në emisionin “FLET” në Top Channel me gazetaren Ilnisa Agolli, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një intervistë të ngarkuar me reflektime, ku për herë të parë në mënyrë kaq të hapur ka pranuar se ka bërë “shumë, shumë mekate” gjatë karrierës së tij politike. Mes këtyre, ai ka veçuar një veprim për të cilin është penduar thellësisht: miratimin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës bujqësore.
Ilnisa Agolli, në stilin e saj të drejtpërdrejtë, e pyeti Berishën se cilat janë gabimet më të mëdha që ai mendon se ka bërë në jetën publike. Pa hezituar, Berisha u përgjigj:
“Kam bërë shumë mekate, shumë. Politika nuk është një rrugë e pastër, është një rrugë me vendime të vështira. Por një nga ato që e kam të gdhendur në ndërgjegje është ligji 7501. Dola kundër vetes sime. Dola kundër ndërgjegjes sime.”
Ky rrëfim befasues është ndër më të sinqertët që Berisha ka bërë ndër vite. Ligji 7501, i cili i dha të drejtën për ndarjen e tokës bujqësore sipas parimit “ku e punon, aty e merr”, është kritikuar fort për pasojat e tij në pronësinë mbi tokën, përplasjet e shumta gjyqësore, dhe mungesën e rikthimit të pronave ish-pronarëve legjitimë.
Pikërisht këtë aspekt Berisha e pranoi me ndershmëri, duke thënë se ai e kishte ndjerë që vendimi nuk ishte i drejtë, por përballë presionit politik dhe shoqëror të kohës, kishte zgjedhur kompromisin.
View this post on Instagram
“Në atë kohë ishin vendime që duheshin marrë shpejt. Por e ndiej që nuk ishte rruga e drejtë. Mund të ishte gjetur një mënyrë më e ndershme për ish-pronarët. Dhe ky është një nga ato momente ku ndjej se nuk veprova siç do të doja,” deklaroi ai.
Në të njëjtën intervistë, Berisha foli edhe për rivalin e tij politik, Fatos Nano, duke i dhënë atij vlerësim publik për aktin e dorëheqjes pas humbjes së zgjedhjeve dhe për ndershmërinë e rrallë për të pranuar gabimet.
Emisioni “FLET” me Ilnisa Agollin po rezulton një platformë ku figura kyçe të jetës politike shqiptare shfaqen me një anë më njerëzore dhe reflektuese, dhe ky episod me Sali Berishën mund të konsiderohet ndër më të rëndësishmit për peshën e rrëfimeve dhe sinqeritetin e të ftuarit.
Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të pazakontë duke lavdëruar ish-kundërshtarin e tij politik, Fatos Nano.
I njohur për qëndrimet e forta dhe përplasjet e ashpra me kundërshtarët, Berisha këtë herë befasoi me tonin e tij të moderuar dhe reflektues. Duke folur për momentet kyçe të tranzicionit politik në Shqipëri, ai solli në vëmendje sjelljen e Nanos pas humbjes së zgjedhjeve, të cilin e cilësoi si një akt burrërie dhe përgjegjësie politike.
“Edhe pse ishim kundërshtarë të vendosur, Fatos Nano kishte një cilësi që shumë sot nuk e kanë. E pranonte humbjen, e pranonte gabimin dhe nuk ngulte këmbë kur e kuptonte që kishte mbaruar koha e tij. Ai dha dorëheqjen dhe u tërhoq vetë. Kjo është për t’u vlerësuar, sepse tregoi karakter,” u shpreh Berisha.
Ilnisa Agolli, e cila njihet për pyetjet e saj të drejtpërdrejta, nuk ngurroi të ngacmojë Berishën edhe për aktualitetin politik, por ishte pikërisht ky reflektim për një nga figurat më të përfolura të së majtës që krijoi jehonë më të madhe në studio.
“Kemi shumë dallime me Nanon, por ai nuk fshihej pas justifikimeve. E thoshte me gojën e tij: ‘E bëra gabimin’. Tani e ke të pamundur të gjesh një lider që e thotë këtë gjë”, shtoi Berisha, duke lënë të nënkuptohet se në politikën e sotme mungon ndershmëria për të pranuar përgjegjësinë.
Deklarata e Berishës për Nanon është ndër të rrallat ku ish-kryeministri flet me respekt për një rival politik, dhe menjëherë ka ngjallur komente në rrjet, sidomos në një kohë kur skena politike shqiptare mbetet e tensionuar dhe e polarizuar. Kjo intervistë në “FLET” pritet të komentohet gjatë në ditët në vijim.