Sporti në zi/ Mbyll sytë përgjithmonë trajneri i njohur shqiptar (Emri+Foto)

Lajm i trishtë për futbollin në Kosovë pasi ka ndërruar jetë Ejup Mehmeti. I njohur ndryshe edhe si “Kapiti”, ai u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Mehmeti ka luajtur në vitet ’70 për Prishtinën, ndërsa pati karrierë edhe si trajner te kryeqytetasit. Në këtë periudhë ai do të luante krahas emrave të mëdhenj si Rasim Thaçi – Cima dhe Sabit Dallku.

Puna e tij vazhdoi në promovimin e klubit në elitën e futbollit jugosllav.

Pas karrierës si lojtar, “Kapiti” ndoqi rrugën akademike, duke përfunduar magjistraturën në futboll në Universitetin e Sarajevës dhe duke marrë licencën profesionale si trajner nga UEFA.

Puna e tij përfshinte zhvillimin e talentit të ri dhe ndërtimin e ekipit, duke vazhduar traditën e tij në futbollin e Kosovës.

Në qershor të vitit 2021, Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë së Sportit, e nderoi “Kapitin” me titullin “Mirënjohje për Vepër Jetësore”, duke vlerësuar biografinë e tij në sport dhe kontributin ndaj Prishtinës dhe mbarë Kosovës.

Gjatë karrierës së tij kontribuoi po ashtu te Hamburgu në Gjermani si zëvendës trajner.