Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse është zbuluar së fundmi në qytetin e Maliqit, ku një qytetar ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit nën akuzën për një seri vjedhjesh të përsëritura në varrezat publike.
Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, operacioni policor i koduar “Varrezat” ka çuar në arrestimin e shtetasit B.M., 48 vjeç, banues në Maliq, i cili rezulton të jetë pronar i një agjencie funerale dhe punishteje për përpunimin e mermerit dhe granitit.
Hetimet e kryera nga strukturat e hetimit të Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me Prokurorinë, zbuluan se B.M. kishte ndërmarrë prej kohësh një veprimtari të paligjshme: ai hynte në mënyrë të përsëritur në varrezat e qytetit, ku çmontonte pllaka mermeri e graniti nga varret, të cilat më pas i transportonte drejt punishtes së tij për t’i ripërpunuar. Pllakat, pasi pastroheshin dhe përpunoheshin, shiteshin si produkte “të reja” për familjet që porosisnin varre ose përmendore për të afërmit e tyre.
Veprimtaria kriminale e tij ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë në komunitetin lokal, veçanërisht tek familjarët e të ndjerëve, të cilët kanë konstatuar dëmtime të varreve, humbje të pllakave përkujtimore, dhe përdhosje të vendeve të shenjta të pushimit të përjetshëm.
Ndaj B.M. rëndon akuza për “Vjedhje të kryer më shumë se një herë” dhe “Cenim i varreve ose kufomave”, vepra penale që parashikojnë ndëshkime të rënda nga Kodi Penal.
Policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme pllakash të dyshuara si të vjedhura, si dhe dokumentacion që mund të faktojë veprimtarinë kriminale të këtij subjekti.
Hetimet janë ende në vijim për të zbuluar nëse në këtë veprimtari të turpshme janë përfshirë edhe persona të tjerë dhe nëse janë vjedhur varre edhe në qytete të tjera.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të ngjashëm apo të dyshimtë pranë strukturave përkatëse, për të parandaluar dhe ndëshkuar me forcën e ligjit çfarëdo tentative që cënon respektin ndaj të ndjerëve dhe dhimbjen e familjarëve.