Edi Rama e kishte bere te kryer, ja cfare po ndodh

Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, i pasuar së fundmi nga përplasjet me Iranin, ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë edhe në sektorin e turizmit, përfshirë Shqipërinë si një nga destinacionet e preferuara të turistëve izraelitë. Situata e paqëndrueshme gjeopolitike ka detyruar autoritetet izraelite të vendosin masa të përkohshme sigurie, përfshirë kufizimin e udhëtimeve drejt disa vendeve të rajonit, mes tyre edhe Shqipëria.

Këto masa ndikuan menjëherë në flukset turistike. Agjencitë udhëtimore izraelite u detyruan të anulojnë një pjesë të konsiderueshme të prenotimeve, ndërsa edhe shumë qytetarë vendosën të shtyjnë apo të heqin dorë nga planet për pushime jashtë vendit.

Sipas operatorëve turistikë në Shqipëri, kjo situatë ka sjellë një goditje për pritshmëritë e këtij sezoni veror. Albulen Ndrepepaj, menaxher turistik në Durrës, tha për TV Klan se interesimi nga tregu izraelit ka qenë në rritje këtë vit, me një numër të lartë rezervimesh të bëra muaj më parë. “Për këtë sezon veror, ka pasur një interes të shtuar nga agjencitë izraelite për të kaluar pushimet në Durrës. Megjithatë, fillimi i konfliktit me Palestinën dhe më pas përshkallëzimi i tensioneve me Iranin ndikuan negativisht, duke çuar në mbylljen e kufijve dhe pezullimin e udhëtimeve, përfshirë edhe drejt Shqipërisë,” thekson Ndrepepaj.

Kjo ka detyruar agjencitë dhe hotelet vendase të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të kompensuar boshllëqet e krijuara. “Po përpiqemi t’i zëvendësojmë këto anulime me tregje të tjera, si Polonia, Çekia, Gjermania apo vende të rajonit. Ka pasur një reagim të shpejtë për të mos lënë kapacitetet bosh,” thotë Ndrepepaj.

Megjithatë, ai shton se, ndonëse numrat po rikuperohen pjesërisht, mungesa e turistëve izraelitë do të ndihet si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në imazh, pasi ky treg ka qenë ndër më të qëndrueshmit dhe më besnikët në vitet e fundit për Shqipërinë, sidomos për zonën e Durrësit.

Në të njëjtën kohë, strukturat hoteliere kanë theksuar nevojën për mbështetje nga institucionet shtetërore për të promovuar më tej turizmin në tregje të reja dhe për të përballuar situata të paparashikuara që lidhen me zhvillime ndërkombëtare.

Ekspertët vërejnë se turizmi është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj krizave ndërkombëtare dhe se ky rast është një kujtesë e qartë për nevojën e një diversifikimi më të madh të tregjeve turistike, si dhe për ndërtimin e një strategjie afatgjatë që i përgjigjet emergjencave dhe ndërlikimeve gjeopolitike.