Dash Sula i zbulon Cim Pekës ‘të dashurën’ që i vd*q ne makinë: Ti ke ne duar gj*kun e

Një konflikt i ashpër verbal ka shpërthyer mes deputetit demokrat Dashnor Sula dhe medias së ish-kryeministrit Sali Berisha, duke përfshirë akuzat personale dhe kujtime tragjike nga e kaluara. Shkak për përplasjen u bë një lajm i shpërndarë nga media pranë Berishës, ku pretendohej se djali i deputetit Sula kishte bërë fushatë për kandidaten socialiste Sara Milan në qarkun e Elbasanit.

Sula, i cili është deputet i Partisë Demokratike, ka reaguar menjëherë duke i cilësuar këto pretendime si gënjeshtra të qëllimshme dhe pjesë e një fushate shpifjesh. Ai nuk kurseu as drejtuesit e kësaj mediaje, duke përmendur me emër gazetarin Çim Peka – të cilin e cilësoi si “kuzhinierin kryesor” të propagandës familjare të Berishës.

Në një deklaratë për Euronews Albania, Sula u shpreh:
“Një media jepte që djali im ka shoqëruar Sara Milan, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Përgjigja që i dhashë një personi ishte: Të paktën djali im nuk i ka lyer duart me gjakun e shoqes së vet deri më sot dhe uroj që sa të jetë gjallë të mos i lyejë duart me gjakun e ndonjë shoqeje. Ndërsa te ju ka njerëz që i kanë duart me gjakun e shoqes dhe sot dalin e bëjnë politikë. I dimë shumë gjëra edhe ne.”

Këto fjalë janë interpretuar gjerësisht si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj një ngjarjeje të rëndë nga e kaluara e gazetarit Çim Peka. Rreth një dekadë më parë, Peka u përfshi në një aksident automobilistik tragjik, në të cilin humbi jetën një vajzë e re që ndodhej në makinën e tij. Ngjarja në atë kohë bëri bujë në media, jo vetëm për rrethanat dramatike, por edhe për heshtjen që e pasoi dhe mungesën e një hetimi të thelluar publik. U raportua se Çim Peka i mbijetoi aksidentit për mrekulli, ndërsa viktima mbeti në harresë institucionale, pa ndonjë përgjegjësi ligjore të artikuluar qartë në publik.

Deklarata e Sulës përbën ndoshta herën e parë që kjo ngjarje e vjetër sillet në vëmendjen publike në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë nga një politikan aktiv. Ajo vjen në një kohë tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike, ku fraksione të ndryshme akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me qeverinë apo për tradhti ideologjike.

Reagimi i deputetit Sula tregon gjithashtu zhgënjimin e thellë të shumë demokratëve ndaj asaj që e konsiderojnë si përdorim të medias për linçime politike, përfshirë edhe familjarët e kundërshtarëve. Ai la të kuptohet se, nëse fushata e shpifjeve vazhdon, është i gatshëm të zbulojë edhe më shumë të vërteta të pakëndshme për figurat publike që fshihen pas sulmeve.

Për momentin, Çim Peka nuk ka reaguar ndaj akuzave të rënda të Dashnor Sulës, por situata pritet të thellohet nëse palët vijojnë përplasjen publike. Kjo përballje, e cila përfshin edhe elementë të së kaluarës së errët, pritet të trazojë ujërat brenda kampit opozitar, duke e zhvendosur vëmendjen nga debati politik në një betejë personale dhe morale mes protagonistëve.