Një paralajmërim i fortë vjen nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili shprehet se së paku tre politikanë të njohur nga të dyja kampet politike nuk do të arrijnë të betohen në Kuvendin e ri në shtator, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet t’u komunikojë akuzat përpara nisjes së mandatit. Në një intervistë televizive, ai është shprehur se hetimet për disa prej politikanëve të përfolur për korrupsion janë në fazat përfundimtare dhe që brenda afateve ligjore, SPAK do të bëjë publike akuzat ndaj tyre duke pamundësuar marrjen e mandatit. “Mbi tre politikanë nuk do ta marrin mandatin e deputetit dot në shtator, pasi do t’u komunikohet akuzë majtas, djathtas, pra të dyja anët.
Unë nuk i di emrat, se po t’i dija do t’i thoja emrat. Nuk i di emrat, po shikoj afatet e dosjeve, pasi e kam ndjekur pak a shumë punën e SPAK. Po mbarojnë afatet e disa dosjeve për disa politikanë të cilët janë në përfundim të hetimeve dhe do të komunikohet akuzë dhe si rrjedhojë nuk do të kenë mundësinë që të betohen si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk po shikoj filxhanin e Monikës, por është bindje, pasi di që një, dy, tre, katër politikanë janë nën hetim, janë paraqitur disa herë pranë Prokurorisë së Posaçme dhe afati dyvjeçar, trevjeçar i përfundimit të hetimeve ka ardhur dhe do të komunikohet akuzë, pasi janë njerëz të cilët kanë ardhur me opinga të lidhura me tel bakri dhe sot lëvizin Range Rover dhe marrin lekë 200.000 euro rrugëve të Tiranës”, u shpreh Halit Valteri.
Më tej Halit Valteri ndalet edhe tek problematikat e procesit të rinumërimit të votave në disa zona, ku sipas tij janë konstatuar manipulime flagrante në dëm të subjekteve të vogla politike dhe në favor të partive të mëdha. Ai kërkon ndëshkimin penal të çdo numëruesi që ka abuzuar me votën, duke e cilësuar këtë si një krim që shkatërron themelet e demokracisë. “Duhet të mbajnë përgjegjësi ata që i kanë bërë. Ajo është shumë e thjeshtë. Çdo kuti vërtet do të penalizohen. Numëruesit duhet të dënohen. Po këtë po them që nuk mund të vazhdohet kështu. Po marr shembull, një parti, një subjekt i vogël e ka marrë atë votën dhe t’ia çosh PS-së, PD-së apo një subjekti tjetër, ai është krim. Gjithkujt duhet t’i numërohet vota siç e ka në kutinë e votimit.
Prandaj po bëhet e gjithë kjo gjëja për t’i treguar që Partia Socialiste ka vullnetin që të ketë transparencë në çdo kuti votimi, në çdo fletë votimi, të hapen, të shikohen dhe të marrin dënimin sipas ligjit gjithkush që ka tentuar të shtrembërojë një rezultat ku kanë votuar zgjedhësit shqiptarë ose qytetarët e Tiranës apo çdo qyteti tjetër. Kështu që unë e inkurajoj KQZ-në që t’i bëjë publik këta emra që përveç se të marrin dënimin nga organet ligjzbatuese, të marrin dhe një dënim turpi nga e gjithë Shqipëria, që të marrin nofkën dhe njollën e hajdutit të votave të shqiptarëve. Pasi këta njerëz nuk i bëjnë mirë asnjë komuniteti, nuk i bëjnë mirë demokracisë, nuk i bëjnë mirë asnjë lloj gjëje, thjesht i bëjnë mirë egos personale, pasi mendojnë se duke vjedhur një ose dy vota mund të kënaqin egon e një deputeti që nesër mund ta sistemojë në një vend pune apo ku di unë se çfarë, siç flitet rëndom në korridoret e militantëve ose e partive politike”, nënvizoi Valteri.