LAJM I FUNDIT – Irani nis te s*lmoje dhe ndaj Shqipërisë – Detajet

Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice”, i cili dyshohet se ka lidhje me qeverinë iraniane, ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm të rëndë kibernetik ndaj Bashkisë së Tiranës. Sipas një deklarate të publikuar nga grupi në kanalin e tyre në Telegram, sulmi ka rezultuar në ndërprerjen e funksionimit të faqes zyrtare të institucionit, nxjerrjen e të dhënave të ndjeshme dhe fshirjen e të gjithë serverëve të bashkisë.

Në postimin e tyre, hakerat shprehen me tone sfiduese: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.” Ky mesazh shoqërohet me dy pamje të ndryshme të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës: një para sulmit kibernetik dhe tjetra pas tij, ku faqja shfaqet si një ekran i bardhë me efekt vizual të dëmtimit.

Gjithashtu, grupi ka publikuar një model 3D të godinës së Bashkisë së Tiranës, së bashku me mbishkrimin “yes, you were right” (po, keni pasur të drejtë), që interpretohet si një konfirmim për një sulm kibernetik të paralajmëruar nga ata më herët.

Në një mesazh tjetër, “Homeland Justice” ka përmendur edhe arsyet e sulmit, duke aluduar për çështjen e muxhahedinëve iranianë të strehuar në Shqipëri: “Mbi 3000 terroristë iu imponuan Shqipërisë. Toka shqiptare u detyrua të strehojë këta të mjerë të shkatërruar… Është e kuptueshme për shqiptarët mikpritës. Shpresojmë që iranianët (që tani kanë të drejtën ligjore të hedhin raketat e tyre ‘mbinatyrore’ në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë”. Kjo deklaratë sugjeron një lidhje mes sulmit dhe qëndrimit të Bashkisë së Tiranës ndaj kësaj çështjeje.

“Homeland Justice” është një grup hakerësh me një histori të sulmeve të mëparshme në Shqipëri. Faqja e tyre e internetit me shtrirje ruse u shfaq pak para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania në korrik të vitit 2022. Sipas analizave të kompanisë Microsoft, grupi ka lidhje me Qeverinë iraniane dhe konsiderohet përgjegjës për sulmin e vitit të kaluar.

Në të kaluarën, “Homeland Justice” ka publikuar një sërë dokumentash të ndjeshme, përfshirë lista të zgjedhësve, certifikata sigurie të punonjësve të ministrive, të dhëna për patentat, targat e automjeteve, listat e pagave dhe listën e punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Ata kanë publikuar gjithashtu të dhënat personale të zyrtarëve të lartë, si ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ish-kreu i SHISH, Helidon Bendo, dhe ish-nënkryepolici Oljan Kanushi, si dhe e-mailet e tyre.

Publikimi i listës me fluturimet e Kryeministrit Edi Rama ishte një tjetër rast që shkaktoi debat të madh në vend, duke nxitur opozitën të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor, me akuzat për shpërdorim detyre dhe vjedhje të fondeve publike. Grupi ka publikuar edhe dokumenta të klasifikuara si “sekret”, duke hedhur poshtë deklaratat e mëparshme të Kryeministrit Rama se nga sulmet kibernetike nuk janë marrë të dhëna sekrete. Gjithashtu, janë publikuar edhe emaile të zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Deri në këtë moment, Bashkia e Tiranës nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë sulm kibernetik të pretenduar nga “Homeland Justice”. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë pasojat e këtij sulmi dhe çfarë masash do të ndërmerren nga autoritetet për të adresuar situatën.