Mos u merrni me mua se jam e vjeter! Ja shuma e cmendur e parave e fshehur ne canta te vjehrres se Ilir Metes

Në dosjen e SPAK-ut për pastrimin e parave dhe korrupsionin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, një rol të rëndësishëm ka Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit, e cila dikur shiste qepë në Qytetin Studenti. Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur sistematikisht Fatime Kryemadhin për të futur në xhep paratë e aferave, për të fshehur pasuri dhe pastruar para. Sipas dosjes, Fatime Kryemadhi paraqitej me çanta me para cash në bankat e nivelit të dytë, para që më pas tërhiqeshin nga Monika Kryemadhi si të ishin të ligjshme.

Monika Kryemadhi mblidhte paratë e korrupsionit me pasuritë dhe paratë publike. Këto para i çonte cash te mamaja e saj Fatime Kryemadhi. Më pas, zonja Fatime i fuste në sistemin bankar pa asnjë dokument justifikues. Sipas dosjes së SPAK, në periudhën shkurt-dhjetor 2009, Fatime Kryemadhi ka hedhur cash në llogaritë e Monika Kryemadhit 138 mijë euro, shumë kjo që nuk është deklaruar nga Monika pasi nuk kishte se si t’a justifikonte.

Në vitin 2010, Fatime Kryemadhi ka futur qindra mijëra euro cash në sistemin bankar, për të mbuluar blerjen e pasurive të paluajtshme nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Në vitet në vijim kjo skemë pastrimi parash është intensifikuar. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mbushnin çantat me para korrupsioni, ia jepnin Fatimes dhe kjo e fundit i fuste në banka, të cilat nuk guxonin të raportonin në institucionet përkatëse. Gjithashtu, Monika Kryemadhi dhe vajza e saj rezulton se përdornin kartën e kreditit të Fatime Kryemadhit për shpenzime të ndryshme jashtë vendit, blerje, hotele etj.

Gjatë viteve 2020-2022, Meta dhe Kryemadhi kanë fshehur edhe 100 mijë euro në një llogari dyemërore të vajzës Bora Metaj dhe gjyshes së saj Fatime Kryemadhi.

Hetimet e SPAK-ut kanë provuar një akademi korrupsioni të ngritur nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Përdorën vdekjen e burrit të Fatimes për të pastruar para

 

Vjehrra e Ilir Metës, Fatime Kryemadhi ka përdorur dhe shfrytëzuar edhe vdekjen e bashkëshortit të saj, për të mbuluar pastrimin e parave të pista dhe justifikuar blerjen e një apartamenti në ish Bllok. Zonja Fatime, e cila shërbente si arkë apo bankomat i çiftit Meta-Kryemadhi, ka deklaruar se njerëzit i kishin hedhur 100 milionë lekë në ngushëllimin për humbjen e bashkëshortit.

Nga të ardhurat e qirasë dhe nga të ardhurat nga puna e saj, Fatimja kishte blerë edhe një apartament 1+1 në vendin e quajtur Dolce Vita në Durrës. Këtë apartament më vonë e
kishte shitur, por nuk mbante mend as çmimin e blerjes dhe as atë të shitjes. Në lidhje me apartamentet që ajo kishte blerë nga kompania Bjorn shpk, Fatimja deklaron se i kishte blerë këto apartamente me paratë që njerëzit i kishin hedhur për ngushëllim kur i vdiq bashkëshorti. Fatime Kryemadhi deklaron nuk mbante mend se sa lekë i kishte blerë apartamentet por mbante mend se likujdimin e kishte bërë nëpërmjet bankës. Fatime Kryemadhi deklaron se nga paratë që njerzit i kishin dhënë për ngushëllim ishin mbledhur rreth 100 milionë lekë të vjetra, dhe apartamentet që bleu me këto të ardhura i shkëmbeu më vonë me apartamentin ku banonte Lefteri Haxhiu, te pallati i Fratarit në ish Bllok, ku jetonte me Monikën. E pyetur se çfarë toke i kishte shitur shtetasit Gentjan Sula, për vlerën 246.000 USD, fakt ky i deklaruar në bankën ku kishte depozituar paratë, Fatime…
“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Sipas dosjes, Meta dhe Monika kanë përdorur Fatime Kryemadhin për të fshehur pasuri dhe pastruar para.

Konkretisht, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, gjatë viteve 2009-2010, kanë blerë një apartment dublex në ish Bllok me vlerë 645 mijë euro, kamufluar me një kredi 335 mijë euro.

Fillimisht, Fatime Kryemadhi ka derdhur cash në bankë 310 mijë euro dhe më pas ka shlyer kredinë 335 mijë euro po me para cash. Shuma 645 mijë euro besohet se janë para korrupsioni të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur Fatime Kryemadhin edhe për të mbuluar shpenzimet për shërbime estetike, duke paguar në një rast 100 mijë euro nga llogaria e saj.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.  Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”.

Fatime Kryemadhi: SPAK të mos merret me mua se jam e vjetër

Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, është paraqitur disa herë në SPAK. Pas daljes nga SPAK herët e fundit, Fatime Kryemadhi foli për gazetarët, ku tha se SPAK në vend të merret me personat që shesin tokat e shtetit merret me një plakë 80 vjeçe, e cila ka një shtëpi si gjithë të tjerët.

Hetohem meqë jam person i paprekshëm unë se me personat e paprekshëm po hetohet. Për çfarë shpjegime të jap se kam shtëpinë time? Jam 80 vjeç, nuk kam të drejtë blej një shtëpi unë? Ju nuk keni shtëpi? Nuk merren me ata që shesin copa të shtetit, të popullit, dhe merren  me mua një plakë. Çfarë deklarate të japë unë?”, tha ajo.