Një lëvizje e papritur ka ndodhur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas asaj që gazetari Elton Qyno ka bërë me dije, mësohet se kreu i SPAK ka vendosur që të ulë në detyrë mikun dhe ish-shefin e tij, Arben Kraja.
Thuhet se mes tyre ka ndodhur një “përplasje” lidhur me emrin e personit që do të vendoset në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas informacioneve të siguruara nga brenda SPAK, gazetari Qyno thotë se “mollë sherri” është bërë kandidatura e Joni Ketës, i cili aktualisht mban postin e zv. drejtuesit të BKH-së dhe aspiron që të jetë në krye të saj.
Keta ka “simpatinë” e Dumanit, ndërkohë që Arben Kraja preferon një tjetër kandidaturë. Kjo ndarje qëndrimesh mes dy drejtuesve, ka sjellë vendimin e menjëhershëm për uljen në detyrë të Arben Krajës, dhe kalimin e tij si prokuror i thjeshtë në sektorin kundër krimit ekonomik.
Kraja udhëhiqte drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë, ndërkohë që pas uljes së tij nga detyra, ajo është deleguar te Donina Bejko.
Që prej muajit Mars 2021, Dorina Bejko është komanduar për 4 muaj nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) si pjesë e strukturës së posaçme SPAK, teksa lart e poshtë po qarkullojnë zëra se ajo mund të jetë dhe një ndër kandidaturat më të “kopsitura” për të qenë në krye të SPAK në muajin dhjetor, atëhere kur dhe Dumanit i përfundon mandati.