Qytetet e mëdha, sidomos Londra, ku sipërfaqet e betonizuara, mungesa e pemëve dhe ndotja e ajrit krijojnë fenomenin e ashtuquajtur “ishull urban i nxehtësisë”, pritet të përballen me shkallët më të larta të vdekshmërisë. Edhe pse vala aktuale e të nxehtit konsiderohet si një ngjarje klimatike ekstreme, ekspertët paralajmërojnë se këto fenomene do të bëhen më të zakonshme në të ardhmen për shkak të përshpejtimit të krizës klimatike.
Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Britanisë, gjatë stinëve të verës nga viti 2020 deri në vitin 2024, valët e nxehtësisë kanë marrë më shumë se 10,000 jetë njerëzish në të gjithë vendin. Shumë prej këtyre vdekjeve nuk regjistrohen si të lidhura drejtpërdrejt me nxehtësinë, pasi shpesh ajo vepron si faktor përkeqësues në raste me histori të mëparshme mjekësore.
Kjo i ka shtyrë shkencëtarët nga Imperial College London të ngrenë shqetësimin mbi mënyrën sesi qeveria po i përgjigjet kësaj krize. Ata deklarojnë se vala e të nxehtit është një “vrasëse e heshtur” që nuk e tregon fytyrën në mënyrë dramatike, por lë pas vetes një numër të madh viktimash që nuk marrin vëmendjen që meritojnë.
“Shumica e viktimave nuk vdesin në rrugë apo në vende publike – ato ndodhin në shtëpitë e tyre, në qetësi, duke mos pasur as ndihmë dhe as ndërgjegjësim për rrezikun që i pret. Vala e të nxehtit është një emergjencë shëndetësore e padukshme dhe shumë pak e dokumentuar. Nxehtësia nuk figuron gjithmonë në certifikatat e vdekjes, por analiza në kohë reale tregon qartë ndikimin e saj shkatërrues,” deklarojnë studiuesit.
Në këtë sfond alarmues, kritikët e politikave mjedisore dhe shëndetësore të qeverisë britanike kanë shpërthyer në akuza për mungesë përgatitjeje dhe përgjegjshmërie. Ata theksojnë se mungojnë fushatat e ndërgjegjësimit publik, sistemi shëndetësor nuk është pajisur për të përballuar fluksin e pacientëve gjatë valëve të të nxehtit, dhe qytetarët, veçanërisht të moshuarit që jetojnë vetëm, janë lënë në mëshirë të fatit.
Paralajmërimi i autoriteteve britanike është një thirrje e qartë për veprim – jo vetëm për të menaxhuar pasojat afatshkurtra të kësaj vale të nxehti, por për të përballuar realitetin gjithnjë e më të ashpër të ndryshimeve klimatike. Nëse nuk merren masa të guximshme për të reduktuar ndotjen dhe për të mbrojtur grupet më vulnerabël, çdo verë mund të sjellë bilance gjithnjë e më të rënda.
Në një klimë që po ndryshon me ritme të frikshme, vala e të nxehtit në Britani është vetëm një kapitull i hershëm në një histori që rrezikon të kthehet në tragjedi të përvitshme.