Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm, që është shpërndarë në të gjitha misionet diplomatike amerikane në mbarë botën, lidhur me përshkallëzimin e rrezikut të sigurisë globale. Ky paralajmërim vjen në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë arritur nivele kritike, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e rajonit të Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
“Paralajmërim global për udhëtime dhe siguri”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku theksohet se konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit ka sjellë pasoja të menjëhershme në fushën e transportit ajror dhe të lëvizjes ndërkombëtare.
Sipas paralajmërimit, shumë linja ajrore kanë ndërprerë ose kufizuar fluturimet për në dhe nga vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa hapësirat ajrore në disa shtete janë mbyllur periodikisht për arsye sigurie. Kjo ka ndikuar jo vetëm në udhëtimet turistike, por edhe në operacionet tregtare dhe diplomatike.
Por shqetësimi më i madh, sipas autoriteteve amerikane, qëndron tek mundësia e shtuar për protesta, trazira dhe akte armiqësore që mund të shënjestrojnë qytetarë apo interesa amerikane në vende të ndryshme të botës. “Qytetarët amerikanë duhet të tregojnë vigjilencë të lartë, të shmangin turmat dhe grumbullimet publike, si dhe të ndjekin me përpikëri njoftimet zyrtare të autoriteteve lokale dhe ambasadave”, vijon deklarata.
Departamenti i Shtetit u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që ndodhen jashtë SHBA-së të:
Kontrollojnë vazhdimisht faqet zyrtare të ambasadave dhe konsullatave amerikane për përditësime të sigurisë.
Rregjistrohen në programin STEP (Smart Traveler Enrollment Program) për të marrë informacion të menjëhershëm në rast emergjencash.
Kenë një plan emergjence për të lënë vendin ku ndodhen në rast se situata përkeqësohet.
Ky paralajmërim vjen në vazhdën e një përshkallëzimi të ndjeshëm të retorikës dhe veprimeve ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, që ka vënë në gatishmëri të lartë jo vetëm vendet fqinje, por edhe komunitetin ndërkombëtar. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se nëse konflikti përshkallëzohet më tej, pasojat mund të ndihen në shumë shtete, përfshirë edhe ato në Evropë dhe Ballkan.
Ambasada Amerikane në Tiranë thekson se nuk ka ndonjë kërcënim specifik për Shqipërinë për momentin, por nxit qytetarët amerikanë të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të informuar.
Kjo deklaratë tregon njëherazi shqetësimin e rritur të autoriteteve amerikane për sigurinë globale dhe gatishmërinë për të ndërmarrë masa parandaluese në mbrojtje të qytetarëve të saj kudo ku ndodhen
Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron: Ekziston mundësia për…
